Scheffer në Tiranë: Anëtarësimi në NATO nuk ishte dhuratë
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Jaap de Hoop Scheffer, tha dje në Tiranë se hyrja në NATO nuk ishte një dhuratë, por ishte e merituar.
Ai foli gjatë një ceremonie në universitetin e Tiranës, ku mori titullin Doktor Honoris Causa nga Senati i UT.
Titulli iu dorëzua sekretarit Scheffer nga rektori i UT, Dhori Kule, me motivacionin “Për kontributin e veçantë në realizimin e aspiratës së popullit shqiptar për të qenë pjesë e strukturave euroatlantike që mbrojnë vlerat e demokracisë, sigurisë dhe paraqes në botë.”
“Kur unë studioja drejtësi në universitetin e Leiden, në Holandë, shumë vite më parë më vjen keq ta them, nuk e mendoja kurrë se një ditë do të më jepej doktoratura dhe dua të them që marrja e këtij titulli honorifik nga Universiteti i Tiranës e bën këtë tepër të çmuar”, - tha Scheffer.
“Gjatë detyrës sime, si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, në 5 vite e gjysmë kam vizituar Shqipërinë dhe Tiranën disa herë dhe gjithmonë më ka mrekulluar entuziazmi, miqësia dhe mikpritja e popullit shqiptar. Sot është vizita ime e fundit zyrtare në Shqipëri dhe është për këtë arsye e natyrshme që të reflektojmë për atë çka Shqipëria ka arritur dhe NATO gjithashtu, në 5 vite, kur unë kam pasur privilegjin të jem Sekretar i Përgjithshëm. Vetëm 5 vjet më parë, një nga vendimet e mia të para zyrtare ishte t’i komunikoja 7 vendeve ftesën formale të pranimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Unë gjithmonë kam qenë një mbështetës i fuqishëm i zgjerimit të NATO-s dhe për këtë arsye ishte një përgjegjësi mallëngjyese për mua dhe një mënyrë e shkëlqyer për të filluar mandatin tim si Sekretar i Përgjithshëm. Dhe prandaj është veçanërisht mallëngjyese për mua dhe një mundësi e lumtur, teksa i afrohem fundit të mandatit tim, të mirëpres anëtarë të rinj në familjen e NATO-s”, - vijoi më tej Sekretari i Përgjithshëm në largim i NATO-s.
Scheffer tha se anëtarësimi në NATO ishte shpërblim për reformat e vendit.
“Anëtarësimi i vendit tuaj, zoti kryeministër dhe Shkëlqesi ambasadorë, nuk ishte një dhuratë, nuk ishte diçka që jepet lehtë. Ishte një shpërblim për punën e palodhur të shumë viteve dhe suksesin e reformave të vështira dhe të shumanshme, të cilat u ndërmorën me vendosmëri të palëkundur. Vërtet, cilësi të ngjashme kërkohen për të arritur përsosmërinë akademike dhe ndërsa studentët përgatiten të shohin drejt së ardhmes së tyre, tashmë ata kanë mundësi të shohin përpara me besim dhe krenari, rezultatet e arritjeve domethënëse të vendit të tyre. Disa rrugë të reja hapen për punësimin e tyre si zyrtarë të NATO-s dhe kush e di, ndonjë ditë, ndonjë i diplomuar nga ky universitet do të ketë privilegjin të jetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s”, - tha Scheffer.
Scheffer: Rajoni do ketë stabilitet, vetëm kur të integrohet plotësisht
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, tha dje se rajoni do ketë stabilitet, vetëm kur ai të anëtarësohet plotësisht në strukturat euroatlantike. Ai e bëri këtë deklaratë pas takimit me kryeministrin, Sali Berisha.
“Është hera e parë që vij në Shqipërinë, që tashmë është pjesë e NATO-s. Ishte një vendim shumë i rëndësishëm i marrë nga krerët e NATO-s në muajin prill. Në fakt, ka patur arsye, për të cilën unë them se ka qenë një vendim i rëndësishëm. Ka patur gjithmonë një kontradiktë brenda NATO-s për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit, por kjo është e vetmja rrugë për këto vende, që ato të arrijnë integrimin euroatlantik, është e vetmja rrugë drejt stabilitetit dhe sigurisë në vend”, - tha Scheffer.
“Periudha deri në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO ka qenë një periudhë shumë e rëndësishme. Shqipëria që para anëtarësimit ka qenë një eksportuese e sigurisë në vend dhe në rajon. Për mua është një kënaqësi e madhe që sa herë që vij në Shqipëri, të takohem me krerët e ushtrisë së armatosur shqiptare, e cila është duke dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në Afganistan”, - vijoi më tej Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Ndërsa kryeministri shqiptar tha se Scheffer do të mbetet në kujtesën e kombit shqiptar. Berisha tha se kishte garantuar Scheffer se zgjedhjet në Shqipëri do jenë të lira dhe të ndershme.
“Sekretari i Përgjithshëm, Scheffer, do të mbetet në memorien historike të kombit tonë si një ndër miqtë më të shquar të këtij kombi. Zoti Scheffer ka ardhur në një vizitë lamtumire dhe dua ta uroj për mënyrën e suksesshme me të cilën drejtoi Aleancën gjatë këtij mandati, me hedhjen e bazave të reja për një reformë strategjike të Aleancës, për ta përshtatur atë plotësisht për shekullin e 21.
Me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, zotin Jaap de Hoop Scheffer, ne diskutuam mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n, diskutuam mbi gjendjen në rajon, gjithashtu diskutuam ndër të tjera për zgjedhjet e ardhshme. E informova zotin Scheffer për të gjitha përpjekjet e qeverisë për një kuadër ligjor dhe teknik, më të mirin që ka patur ndonjëherë vendi dhe përkushtimin e plotë dhe total të qeverisë për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, nderimin e vullnetit të tyre, por dhe nderimin dhe vlerësimin e të gjithë atyre që votëbesuan Shqipërinë për anëtare të NATO-s”, - tha Berisha.
Topi dhe Scheffer: Zgjedhjet, shumë të rëndësishme për Shqipërinë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nderoi dje me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer.
Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Aleksandër Flloko, i dorëzoi urdhrin e lartë z. Scheffer me motivacionin: “Personalitetit të shquar, në shenjë mirënjohjeje të thellë të popullit dhe të shtetit shqiptar për kontributin shumë të rëndësishëm në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”.
Scheffer tha se e konsideronte anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si pjesë të trashëgimisë së punës së tij.
“Unë e konsideroj hyrjen e Shqipërisë dhe të Kroacisë në NATO si një pjesë shumë të rëndësishme të trashëgimisë time dhe medalja e nderuar që po marr sot është një sinjal dhe një provë e kësaj. Edhe kur të mos jem më Sekretar i Përgjithshëm, jam shumë i bindur që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe NATO-s dhe meje do të vazhdojnë të forcohen e të jenë intensive”, - tha Scheffer, që më parë kishte zhvilluar dhe një takim me kreun e shtetit.
Topi i bëri të ditur Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s se shqiptarët janë të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm se “puna e vërtetë fillon tani për të përmbushur, ruajtur dhe konsoliduar të gjitha standardet e NATO-s, si dhe për të qenë të denjë, profesionalë dhe besnikë në kontributin tonë në kuadër të kësaj Aleance, në misionet e saj në botë. Një tregues i vullnetit dhe angazhimit tonë maksimal në këtë drejtim do të jetë dhe mbarëvajtja e suksesshme e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, të cilat ne besojmë që do të realizohen të lira, të ndershme, të drejta dhe të pakontestuara”, - nënvizoi Presidenti i Republikës.
Në ceremoninë solemne të dekorimit, mbajtur në sallën “Skënderbeu” të Pallatit të Brigadave, ishte i pranishëm edhe ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu.