FMN: Parlamenti të kontrollojë INSTAT
Westin i kërkon deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, që të krijojnë një lobing për të rritur besueshmërinë e statistikave
Gjatë këtij takimi u diskutua për marrjen e nismave ligjore për rritjen e besueshmërisë së treguesve statistikorë, si dhe krijimin edhe të një lobi parlamentar në këtë kuadër.
Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar deputetëve të Komisionit parlamentar të Ekonomisë që të marrin pjesë në hartimin e statistikave në vend, duke ndihmuar në këtë mënyrë që të rritet besueshmëria e tyre. Përfaqësuesja e FMN-së në Tiranë, Ann Margaret Westin ka marrë pjesë gjatë ditës së djeshme në punimet e Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ku u diskutua mbi treguesit statistikorë në vendin tonë. Deputeti i Partisë Demokratike, Osman Metalla, ka bërë të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi treguesit statistikorë, si dhe mbi rritjen e bashkëpunimit të Institutit të Statistikave dhe Kuvendit të Shqipërisë. "Gjatë këtij takimi u diskutua për marrjen e nismave ligjore për rritjen e besueshmërisë së treguesve statistikorë, si dhe krijimin edhe të një lobi parlamentar në këtë kuadër",- tha Metalla. Sipas Metallës, përfaqësuesja e FMN-së, Westin, kërkoi angazhimin e përfaqësuesve të Parlamentit, në mënyrë që të rritet besueshmëria e treguesve statistikorë, si dhe të rritet bashkëpunimi edhe me Bankën e Shqipërisë. Treguesit statistikorë në vend mbeten të një shkalle të ulët besimi, duke bërë që në të gjitha analizat në sektorë të ndryshëm të përdoren shpeshherë tregues të nxjerrë nga ana e Institucioneve Ndërkombëtare. Instituti i Statistikave që mbetet edhe institucioni kryesor në nxjerrjen e këtyre treguesve, paraqet probleme të mëdha në besimin e të dhënave që ai jep edhe për vetë statusin që ka ky institucion. Shumë institucione kanë shfaqur skepticizëm për të dhënat dhe veçanërisht për mënyrën e matjes së tyre. Ka qenë vetë Ministria e Financave ajo që ka kërkuar gjatë fundit të këtij viti që të ndryshojë një nga treguesit më të rëndësishëm që mat INSTAT, Indeksin e Çmimeve të Konsumit. Sipas financave ky tregues, që është kontestuar shpeshherë edhe nga ana e institucioneve ndërkombëtare për mënyrën se si realizohet matja, duhet që të ndryshojë në tërësinë e tij. Por, sipas Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, duhet që të ndërmerren edhe një sërë reformash të tjera në INSTAT dhe në institucione të ngjashme që merren me nxjerrjen dhe përpunimin e të dhënave. Një nga problemet më të mëdha të vendit në hartimin e prognozave të sakta ekonomike, mbetet mungesa e serive kohore, si edhe deformimet që ato kanë për shkak të vlerësimeve jo të sakta.