Fatmir Mediu ka shprehur kritikat dhe vërejtjet e tij ndaj qeverisë përsa i përket çështjes së pronave
Ashtu si edhe herë të tjera gjatë fjalimeve të tij në aktivitetet partiake, edhe gjatë mbledhjes së djeshme të Asamblesë Kombëtare të PR-së, Fatmir Mediu ka shprehur kritikat dhe vërejtjet e tij ndaj qeverisë përsa i përket çështjes së pronave. Kreu i PR-së ka shprehur rezerva ndaj faktit që, qeveria ka përcaktuar vetëm 5 milion dollarë për kompensimin financiar të pronarëve për këtë vit, ndërsa për shpërblimin e pensionistëve për festat e fund vitit jepen rreth 30 milion dollarë. "Kemi respektin më të madh për pensionistët, për prindërit tanë, por është e pakuptueshme, që nëse dedikohen rreth 25-30 milionë USD për pensionistët t'i lihet një vlerë kompensimit financiar të pronarëve vetëm 5 milionë USD. Kjo është një çështje që duhet të na bëjë të preokupohemi, të shikojmë se sa është realisht shteti i vendosur në marrëdhëniet me pronarët, edhe me të përndjekurit politik, në trajtimin e tyre financiar", tha Mediu. Kreu i PR-së është ndalur edhe në ligjin 7501, duke thënë se me anë të tij vazhdohet të vidhet ende tokë bujqësore, sidomos në zonët bregdetare, dhe ndaj ai theksoi nevojën e ndaljes së veprimit të këtij ligji, që Mediu e quajti leninist. Mediu theksoi se, çështja e pronave duhet të korrigjohet që në themel, pasi sipas tij, edhe abuzimet që janë kryer nga pushtetarët vendore që janë arrestuar së fundmi e kanë bazën te ligjit 7501. "Ligji 7501 ka qenë një ligj leninist, i cili do të krijonte një konflikt të madh me të drejtën e pronës në Shqipëri. Kemi theksuar hajdutërinë e madhe që është bërë në këtë vend me tokat e fermave bujqësore që janë mbi 100 mijë ha toka të vjedhura, që janë tokat më të mirë se janë afër qyteteve, që janë transformuar në toka industriale ose toka truall. Të gjitha këto arrestime apo veprime të shtetit sot, mbi drejtues të pushtetit lokal, e kanë bazën mbi këto logjika të ligjit, mbi këto hapësira dhe gropa të zeza që ka lejuar çështja e pronës në Shqipëri. Pra, duhet ta korrigjojmë çështjen në themel, nuk duhet të presim që çështja të korrigjohet në mënyrë spontane, duke goditur thjesht ata që kanë abuzuar", tha ministri.