Reforma, OSBE: Partite te nisin punen
TIRANË- Shtyrja e mandatit të komisionit parlamentar për reformën zgjedhore ka sjellë edhe reagimin e prezencës së OSBE-së në Shqipëri, e cila i bën thirrje partive politike për të përshpejtuar ritmet e punës në komision. OSBE-ja mirëpret këtë shtyrje të mandatit dhe nxit partitë politike për të çuar përpara reformën zgjedhore në vend, por njëherësh shpreh keqardhjen që deri tani nuk është arritur asnjë rezultat konkret përsa i përket çështjes në fjalë. Në këtë drejtim, kreu i Prezencës së OSBE-së, Robert Bosch i kujton partive politike që të kryejnë ndryshimet ligjore në përputhje me rekomandimet e raportit të OSBE/ODHIR-it dhe analizat e Komisionit të Venecias. "Ne presim që, pa humbur më tepër kohë, të gjitha partitë politike të përfshihen e të kryejnë të gjitha ndryshimet ligjore në përputhje me angazhimet e Shqipërisë si anëtare e OSBE-së, dhe rekomandimet e Raportit Përfundimtar të Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it si dhe me analizat ligjore të përbashkëta të përgatitura me Komisionin e Venecias të Këshillit të Evropës të viteve 2004 e 2007, si dhe standardet e tjera ndërkombëtare për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike", është shprehur dje Ambasadori Robert Bosch, Kreu i Prezencës së OSBE-së. gjithashtu, Bosch shprehet se, Prezenca e OSBE-së pret përmirësimet në legjislacionin zgjedhore në mënyrë më përfshirëse dhe transparente. "Ne presim të shohim që autoritetet shqiptare të paraqesin përmirësime të mëtejshme në legjislacionin zgjedhor në një mënyrë përfshirëse dhe transparente," tha ai, duke shtuar se OSBE-ja qëndron e gatshme të kontribuojë në procesin e reformës zgjedhore duke ofruar ekspertizë sipas kërkesave. Sipas kreut të Prezencës, zbatimi i reformës zgjedhore në përputhje më standardet ndërkombëtare është një parakusht për integrimin e Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike.