Lulishtet tek Pallati i Kulturës në Durrës, private apo publike?
Jemi një grup pensionistësh të "Lagjes Nr.12" që kemi votuar (pavarësisht bindjeve politike)*, nisur nga premtimi elektoral për shtimin e sipërfaqeve të gjelbëruara publike. Dëshirojmë të rishikohet, një leje e vitit 1993, e kryetarit të parë të bashkisë, për dhënie me qira të një rotonde të vogël betoni, në lulishten që ndodhet në faqen perëndimore të Pallatit të Kulturës "A.Moisiu". Me sa jemi informuar, leja e akorduar ka të bëjë vetëm me ndërtimin e një objekti provizor në pjesën e pistës prej betoni dhe jo për krejt lulishten publike, sikurse e shfrytëzojnë aktualisht poseduesit.
Më e keqja është se në pjesën e gjelbëruar përreth lokalit në formë gjashtëkëndëshi, nuk lejohen jo vetëm qytetarët a pensionistët, por as dhe klientët. Është pronë private apo është pronë publike?
Kemi mësuar se ish-kryetari i Bashkisë, z.Gorea, ka dashur të heqë "6-kançin" dhe, me një grant për Departamentin e Arkeologjisë, të bëheshin gërmime arkeologjike për të zbuluar një kompleks antik romak e bizantin të Forumit, Banjave Termike etj. Ndaj z.Gorea pati më pas një presion nga të djathtë e të majtë.
Po ashtu, flitet se ekziston një projekt i kreut tjetër bashkiak, z. Koka, ku parashikohej heqja e "6-kançit" dhe sistemimi i plotë i gjelbërimit nga të dy faqet e Pallatit të Kulturës. Por dhe z.Koka me sa duket nuk mundi.
Fatkeqësisht përveç "6-kançit", në lulishtet e Pallatit të Kulturës, nga ana lindore, janë dhe dy lokale-kioska, një ngjitur me murin e tetarit, prapa një vepre në skulpturë dhe një tjetër përballë ish dyqanit të luleve. Pranë këtyre dy objekteve janë bërë investime private të pamiratuara në KRRT-në e Bashkisë, duke zaptuar sipërfaqet e gjelbëruara publike.
Z.Kryetar, dëshirojmë të përgjigjeni publikisht për këto pyetje:
1. A është dhënë në pronësi gjithë lulishtja ke "6-kançi"?
2. A është marrë leje në KRRT e Bashkisë për rikonstruksionin e lokalit dhe objektet e tjera dhe, nëse jo, a keni ndërmend të ndërhyni me Policinë Ndërtimore?
3. Pse Ndërmarrja e Pastrim-Gjelbërimit nuk vendos stola në lulishtet e "6-kançit" dhe përballë ish-dyqanit të luleve? Me nderime një grup pensionistësh, Lagja Nr.12:
* 1 - (Ardian Gjyzeli, Sefedin Reçi, Harilla Thomai, Safet Xhamuça, Petrit Kazazi, Rifat Ishmi etj.)
* 2 - Letra-raportuese e dërguar në adresat e Shekulli Kontakt U.R. i drejtohet z.Vangjush Dako, Kryetari i Bashkisë Durrës dhe për dijeni Z.Zamir Ramadani, Kryetari i Këshillit Bashkiak, Z.Seit Kërtusha, Kryetari i Këshillit të Qarkut dhe kryetar grupit këshilltarëve PD, Z.Genci Alizoti, Kryetari i grupit këshilltarëve PS
Z.Klodian Pajuni, Prefekti i Qarkut