E Diel, 1 Nëntor 2026

Paulson dhe Bernanke, këmbëngulin për planin e shpëtimit

Sekretari amerikan i Thesarit, Hank Paulson dhe Presidenti i Rezervës Federale, Ben Bernanke, kërkuan dje me ngulm para Kongresit miratimin e shpejtë të paketës së ndihmës për tregjet financiare prej 700 miliardë dollarësh, si masa e vetme që mund të shpëtojë sistemin financiar amerikan nga kolapsi i plotë. Kërkesat e tyre qenë më këmbëngulëse, pasi u pa se investitorët filluan të dyshojnë në efikasitetin e planit, gjë që solli rënie të mëtejshme të bursave në të katër anët e botës dje. Sipas z.Paulson, “kriza aktuale rrezikon mirëqenien e qytetarëve të SHBA-së dhe mund të rrënojë pjesën më thelbësore të ekonomisë amerikane”.

Por disa kongresmenë kanë hedhur dyshime mbi faktin nëse plani i shpëtimit do të funksionojë apo jo. Bursat botërore vuajtën një ditë tjetër të zezë dje. Pavarësisht se autoritetet rregullatore kufizuan shitblerjet afatshkurtra të aksioneve, të cilat qenë konsideruar fajtore për rënien e bursave, titujt e kompanive financiare vijuan të ulen. Megjithëse drejtuesit demokratë të Kongresit janë shprehur në favor të ndërhyrjes shtetërore, disa kongresmenë me zë kanë hedhur dyshime. Sipas Henry Waxman, “plani i qeverisë, thjesht sa do të pasurojë më tej drejtuesit e bursave, të cilët në fakt janë përgjegjësit kryesorë të krizës”.

Ekspertët e Kongresit akuzojnë se shkaku i krizës qenë produktet derivative të kredive, një metodë e përdorur nga bankat për të shmangur rregullat ligjore në këtë sektor. Tregu i derivateve nënkupton që bankat ia shitën njëra-tjetrës rrezikun që krijohet nga kreditimi. Aktualisht, ky treg kap xhiron e 58 triliardë dollarëve dhe konsiderohet si “armë e shkatërrimit në masë” në tregun financiar. Tashmë kongresmenët kërkojnë që ky treg t'i nënshtrohet mbikëqyrjes, si të gjitha bankat paradepozituese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›