E Diel, 1 Nëntor 2026

FMN: “Rritja ekonomike vitin që vjen, dy herë më e ulët”



Misioni i FMN-së vuri në dukje faktin që inflacioni është ruajtur në kufijtë e parashikuar, por tha se të ardhurat kanë filluar të bien dhe kjo mund të kthehet në një problem të vërtetë për thellimin e deficitit. FMN-ja tha me shumë shqetësim se ekonomia jonë jo vetëm që nuk do të jetë 6 për qind vitin e ardhshëm, siç ka parashikuar ministri Bode në buxhetin e ri, por ajo ka shanse të kufizuara të jetë 3,5 deri në 4 për qind. “Në rast se rritja ekonomike do të jetë në këta kufij, atëherë ajo do të cilësohet shumë e mirë dhe domethënëse”,- saktësoi shefi i misionit të FMN-së, Geruin Bell. Pavarësisht pritshmërive të këqija, aktualisht ekonomia shqiptare ka një rritje të fortë dhe mund të kapë 6 për qind për këtë vit, tha FMN-ja. Kjo do të thotë se të gjitha parashtrimet e deritanishme të ministrit shqiptar të Financave për një rritje ekonomike me dy shifra janë krejtësisht të pavërteta.

Bundo: “Shqipëria nuk do të preket menjëherë nga kriza globale”

“Shqipëria nuk do të preket direkt nga kriza financiare globale, pasi ekonomia shqiptare është një ekonomi në zhvillim dhe efektet e krizës janë të ulëta”. Këtë deklaratë e bëri dje Prof. dr. Sherif Bundo, në konferencën shkencore "Sfidat dhe risqet e ekonomisë shqiptare", organizuar nga Qendra Shqiptare për Riskun, në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë. Ai tha se ekonomia shqiptare është një ekonomi e vogël dhe në zhvillim ndaj dhe efektet e krizës globale janë të ulëta, por mund të ndjehen në mënyrë indirekte, në dërgesat e emigrantëve dhe në eksportet shqiptare. "Në vendin tonë shkalla më e lartë e riskut është risku psikologjik, por autoritetet shtetërore duhet të jenë transparente me publikun, ndërsa Banka e Shqipërisë duhet të rrisë vigjilencën", - deklaroi Bundo. Duke u ndalur në efektet e mundshme të krizës në Shqipëri, Bundo tha se, "një rritje e përgjithshme e çmimeve do t'i japë efektet edhe në ekonominë shqiptare", ndërsa shtoi se "edhe kriza në vendet ku punojnë emigrantët shqiptarë mund të ndikojë, jo vetëm thjesht psikologjikisht, por edhe financiarisht, duke u pakësuar të ardhurat, gjë që do të çojë në uljen e prurjeve të të ardhurave, sidomos nëse recesioni ekonomik botëror do të zgjasë".

19 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›