Kriza globale, emigrantët janë shtresa më e rrezikuar
Emigrantët janë më të rrezikuarit nga kriza globale ekonomike, pasi mund të humbasin vendin e tyre të punës. Njëkohësisht pasojat e drejtpërdrejta të atyre që punojnë jashtë vendit do të ndihen edhe në familjet e tyre të lëna pas dhe në ekonominë e vendeve në zhvillim, siç është edhe ajo shqiptare. Në këto konkluzione kanë arritur drejtues të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare. Ministri italian i Punës, Shëndetit dhe Politikave Sociale, Mauricio Sakoni, përpara përcaktimit të flukseve të hyrjeve në Itali për vitin 2008, shprehet se "në krizën aktuale ekonomike, emigrantët janë më të rrezikuarit për të humbur vendin e tyre të punës". Sipas tij, duke qenë të vetëdijshëm se kjo krizë e madhe i kufizon hapësirat e punësimit, duhet të shmangim atë që të sjellim në vendin tonë persona të cilët rrezikojnë papunësinë, duke u marrë me ata që tashmë ndodhen këtu. Dhe pikërisht mbi këtë situatë kritike ku ndodhet ekonomia botërore, qeveria e vendit fqinj, ku kanë gjetur strehë mbi 402 mijë shqiptarë, ka planifikuar që të reduktojë edhe hyrjet në këtë vend për ata që kërkojnë një punë. "Është e qartë se, ajo që po ndodh në tregun global, fatkeqësisht edhe në ekonominë tonë, duhet të na shtyjë të mendojmë për flukse që janë në pajtueshmëri me mundësitë e punësimit në vendin tonë", - tha ministri italian i Punës, Sakoni, duke shtuar se, "ne duhet t‘i modulojmë me kujdes ato flukse, që mund t‘i presim në vendin tonë, në kufij që pajtohen me mundësitë e punësimit në ekonominë dhe shoqërinë italiane". Ndërkohë që përballë një situate të vështirë gjenden edhe emigrantët shqiptarë, të cilët ndodhen në Britaninë e Madhe. E konsideruar si një ndër ekonomitë që ndodhet në qendër të krizës globale, ky vend ka regjistruar vetëm gjatë tre muajve të fundit, një shtim të numrit të të papunëve, me plot 140 mijë veta, duke e çuar shifrën e papunësisë në 1.8 milionë. Sipas autoriteteve zyrtare, ky është niveli më i lartë i papunësisë që prej vitit 1997. Një situatë e ngjashme është edhe në vendet e tjera, ku shqiptarët kanë emigruar, pa përjashtuar Greqinë, që me numrin e tyre arrin në gati 800 mijë veta. Specialistët e ekonomisë në vendin tonë sqarojnë se ndikimi i krizës ekonomike globale në vendin tonë do të ndihet edhe në remitancat e shqiptarëve emigrantë, të cilat deri në fund të vitit pritet të ulen ndjeshëm.
Në statistikat e regjistruara nga Banka e Shqipërisë rezulton se për vitin 2007 dërgesat ose transferimet e fondeve nga puna e emigrantëve jashtë vendit arritën në 957 milionë euro. Në nivel global, sipas ekspertëve ndërkombëtarë, nga këto dërgesa vendet në zhvillim përfitojnë rreth 251 miliardë dollarë në vit. Sidoqoftë, specialistët vlerësojnë se përmasat e vërteta, përfshirë flukset e paregjistruara përmes kanaleve formalë dhe informalë mendohet të jenë ndjeshëm më të mëdha.
19 Nentor 2008