E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN dhe konflikti me Familjen Berisha

Nga Mero Baze

Fondi Monetar Ndërkombëtar është shpallur praktikisht a non grata në Tiranë dhe rekomandimet e tij për krizën ekonomike shqiptare janë hedhur dje në kosh të plehrave nga qeveria shqiptare. Kryeministri i vendit tonë ka dalë publikisht dhe ka hedhur poshtë një nga një të gjitha rekomandimet e FMN. Ai e ka bazuar kundërshtinë e tij në dy  argumente. Së pari në këmbënguljen e tij se pranimi i rekomandimeve të FMN është pranim i dështimit të modelit ekonomik të qeverisë. Dhe së dyti në faktin se vendi ka rezerva të tjera për të përmirësuar performancën fiskale, të ndryshme nga ato që parasheh FMN.

Të rrish të gjesh arsye tek sofizma e Berishës tani është e kotë. Problemi i vetëm që shtrohet në këtë rast është sa na përfaqëson Berisha në këtë krizë si shoqëri dhe si perspektivë ekonomike.

Kundërshtim kaq i prerë dhe i qartë ndaj FMN në një farë mënyre është një akt politik, i cili nuk mund të kalojë në heshtje. Këtu nuk bëhet më fjalë për dështimin e propagandës së Berishës, por për dështimin e ekonomisë. Nëse sipas Berishës nuk ka dështuar modeli ekonomik i tij dhe nuk ka krijuar këtë gropë që ka krijuar në financat publike, atëherë qeveria nuk do të detyrohej të nxirrte në shitje çdo gjë që ka mbetur në këtë vend nga koha e komunizmit, që nga digat dhe hidrocentralet e deri tek minierat e bakrit e kromit. Një model ekonomik që funksionon e bën të shëndetshme një shtëpi dhe nuk e detyron të zotin e shtëpisë të shesë dhe mobiljet e fundit që i ka lënë babai në shtëpi. Ajo që po bën Sali Berisha me ekonominë shqiptare i ngjan një pasardhësi të droguar dhe të papërgjegjshëm në një shtëpi  që shkatërron bazën financiare mbi të cilën mbahet në këmbë një shtëpi dhe përpiqet të jetojë duke shitur çdo gjë që ka gjetur brenda katër mureve, vetëm që të mos i thonë që ti dështove. Berisha praktikisht nuk ka mundur të mbledhë para nga taksat dhe doganat në atë masë sa të realizojë qoftë dhe 50 për qind të buxhetet që bën çdo fillim viti dhe që i krasit çdo mes dhe fundviti. Ai ka dështuar rregullisht pas vitit 2007 me buxhetin dhe ka hedhur në erë ekonominë shqiptare me borxhet pa fund që po merr për të shlyer miliardat e një segmenti rrugor prej 60 km që po kthehet siç parashihej në një varr masiv për ekonominë shqiptare. Ai po merr borxhe për të shlyer borxhet dhe po  i jep jetë me shpejtësi falimentit ekonomik të financave të shtetit.

Këtu ka dhe një specifikë tjetër: sulmi i tij ndaj FMN. Disiplinimi financiar që rekomandon FMN bazohet në raporte me vendet demokratike dhe veprimet transparente me financat. Për tu shpëtuar borxheve, Berisha po i drejtohet botës arabe dhe lidhjeve me botën e errët të korrupsionit të despotëve të Lindjes, atje ku FMN nuk lejohet të shkelë. Paret e fundit që po shlyejnë gjobën e miqve të tij Bektel Enka, janë marrë nga bota arabe, dhe shlyerja duket se është bërë në ilegalitet. Mbajtja larg e FMN nga ky realitet është mes të tjerash një detyrim që Berisha ka ndaj atyre që po injektojnë paret e pista dhe detyrimet anti-perëndimore në infrastrukturën poltike të shtetit tonë.

Për këtë arsye Berisha është i qartë dhe i vendosur në kundërshtimin e FMN. Por siç e thashë në fillim për politikën pro-perëndimore të Shqipërisë dhe raportet me FMN nuk mund të vendosë vetëm Berisha, edhe sikur të jetë legjitim në shumicën e tij të brishtë në pushtet. Për një çështje të tillë që ka të bëjë me Sigurinë Kombëtare të Shqipërisë duhet të ketë konsensus kombëtar. Opozita shqiptare duhet jo vetëm të kundërshtojë ashpër zbimin e FMN nga Shqipëria dhe kundërshtimin e rekomandimeve të saj, por duhet të kthejë në objekt të luftës së saj politike zbatimin me çdo kusht të rekomandimeve të FMN si një detyrim kombëtar për Shqipërinë. Sali Berisha jo vetëm politikisht, por dhe fizikisht mund të çmendet. Shqipëria nuk është pronë private e tij, edhe pse familja e tij ka privatizuar gjithçka. Shqipëria i ka zgjedhur politikat e FMN mes të tjerash dhe si politika që bazohen tek transparenca që një qeveri demokratike duhet të ketë me paret publike. Berisha nuk mund ta kundërshtojë në emrin tonë FMN dhe rekomandimet e saj. Miliona shqiptarë janë sot më të sigurt dhe më të lumtur të pranojnë rekomandimet drakoniane të FMN se sa të pranojnë anarkinë financiare dhe sociale që Berisha do të na lërë nesër duke mos respektuar rekomandimet e FMN.

Në vitin 1996, FMN njësoj si tani i rekomandoi atij masa drakoniane kundër fajdeve dhe informalitetit në ekonomi. Ai nuk pyeti, bile e zboi si tani. Një vit më pas ne patëm një traumë që u shkaktua mes të tjerash nga fakti se Berishës nuk i interesonte politikisht rekomandimi profesional i FMN. Edhe tani po ndodh e njëjta gjë. Berishës nuk i intereson të pranojë rekomandimet e FMN pasi do të duhet të pranojë dështimin e qeverisjes së tij. Lajthitjet e tij publike janë bërë një makth për çdo shqiptar, kur dëgjon se vendi ynë, ndër më të varfrit e globit, është ekonomikisht më i mirë se çdo vend evropian. Diferenca mes një evropiani në krizë dhe një shqiptari në parajsën e Berishës, është diferenca mes një milioneri që ka shqetësime me dietën dhe një barkthari që ka shqetësime me urinë. Por kjo nuk e shqetëson Sali Berishën. Atij i duhet të flasë për mbijetesën e tij politike, dhe rekomandimet e FMN e nxjerrin zbuluar. Për këtë arsye në rrethin e tij të afërt çdo ditë e më shumë po shfaqen despotët e Lindjes, figura të urryera për Perëndimin si Presidenti i Azerbajxhanit Iliev, që bastard që shkel me këmbë lirinë e medies, opozitën dhe trashëgon pushtetin nga i ati i tij stalinist. Në shoqërinë e Berishës dhe familjes së tij po shfaqen dita ditës tipa si Ali Evsen, i cili bën biznes me kompaninë ajrore simbol të Shqipërisë dhe arrestohet për miliarda euro evazion fiskal dhe lidhje me regjimin e Mubarakut. Në shoqërinë e Berishës dhe familjes së tij po shfaqen mafiozë azerë që sillen nëpër Tiranë të marrin paratë që i kanë dhënë nën garancinë e familjes së tij për privatizimet strategjike në vend. Po ashtu miq të parë të familjes Berisha po bëhen dita- ditës biznesmenët e lidhur me ish- mafien jugosllave që me ardhjen e Berishës është ulur këmbëkryq në Tiranë. Në këtë mjedis të pistë tërësisht lindor, tërësisht despotik dhe të korruptuar, FMN nuk gjen mundësi për të vendosur rregull përpos rekomandimeve që i bëhen një qeverie funksionale me buxhet transparent dhe shpenzime të kontrolluara. Por për ta bërë këtë vendi duhet të ketë institucione të tjera financiare që të bëhen aleatë të FMN. Vendi duhet të ketë Guvernatorë Banke, që të ngrejë alarmin për financat e vendit, ndërkohë që ne kemi një Guvernator që cakton shpërblime për veten dhe shtron dreka e darka për të rimarrë mandatin. Ne duhet të kemi një Ministër Finance që së paku të ketë guximin të heqë një vijë të kuqë që nuk duhet kaluar, por fatkeqësisht kemi të njëjtin e vitit 1996, kur deja vu e FMN u shfaq për herë të parë. Ne duhet të kishim disa deputet kurajozë nga PD-ja në pushtet, nga ata që kanë qenë ministra apo ekspertë të financve që të ngrinin zërin në këto momente, por në fakt kemi një tufë lepujsh të kapur nën çarkun e korrupsionit nga Berisha, që adhurojnë papërgjegjësinë e tij pasi po i bën milionerë. Ne sot nuk kemi kush të ndalë Sali Berishën, ndaj opozitës i mbetet së paku detyrë morale ti tregojë Perëndimit dhe FMN se ky vend mund të privatizohet nga familja Berisha, por nuk do të bëhet kurrë pronë e tij. Opozita ka nevojë ti tregoj Perëndimit qoftë dhe duke ndezur zjarrin në këtë vend, se Berisha nuk flet në emrin tonë. Ai nuk na përfaqëson më. Sidomos në çmendurinë për ta dorëzuar pushtetin si Inventarin e Sudes.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›