E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN kërkon mbështetjen kineze për Europën

Kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, deklaroi se kriza europiane e borxheve sovrane rrezikon të “zhysë” ekonominë botërore në një dekadë të humbur. Ajo shtoi se është përgjegjësia e politikës për të mbajtur peshën e punës së ringritjes së besimit dhe ringritjes së ekonomisë. Deklaratën Lagarde e bëri gjatë një forumi financiar të zhvilluar në Pekin. Në fjalim ajo tha se planet europiane për zgjidhjen e krizës greke janë veprime në drejtimin e duhur, por shtoi se parashikimi për ekonominë botërore mbetet në një zonë të rrezikshme dhe të pasigurt. "Ka re të zeza në horizont dhe veçanërisht në ekonomitë e zhvilluara dhe specifikisht në Shtetet e Bashkuara dhe në Bashkimin Europian. Ne mendojmë se nëse nuk veprojmë me vendosmëri dhe me koordinim, ekonomia në mbarë botën riskon të zhytet në një spirale të pasigurisë, paqëndrueshmërisë financiare dhe një kolaps global të konsumit. Ne mund të futemi në atë që shumë komentatorë e cilësojnë si dekada e humbur", tha Lagarde. Termi “dekadë e humbur” i referohet eksperiencës japoneze të deflacionit konstant dhe impotencës ekonomike përgjatë viteve 1990 dhe më tej të shkaktuar nga shpërthimin i flluskës së aseteve. Shumë analistë, bazuar në borxhin e lartë dhe origjinën e problemeve të Europës, kanë frikë se eksperienca japoneze mund të përsëritet. Ish-ministrja franceze e Financave dha garanci se europianët në muajin dhjetor do të rrisin në 1 trilion euro fondin e stabilitetit financiar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›