Qeveria eliminon fondin për kompensimin e energjisë
Familjet që mbështeten me ndihmë ekonomike, personat e paaftë për punë, pensionistët etj., që përfitonin nga fondi i buxhetit të shtetit një kompensim prej 650 lekësh në muaj, si kompensim për faturën e energjisë elektrike, nuk do ta marrin më këtë shumë mujore.
Projektbuxheti i vitit 2012 nuk parashikon kompensimin e faturës mujore të energjisë elektrike. Kompensimi i energjisë përfitohet nga rreth 280 mijë persona dhe nga viti që vjen nuk do të përfitohet më. Në draftin e buxhetit të qeverisë, që nisi dje diskutimin në Kuvend, zëri i shpenzimeve “kompensim për energjinë elektrike” është 0. Drejtoresha e Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi, ka pohuar se këtë vit nuk është aplikuar rritje e çmimit të energjisë dhe për këtë fakt qeveria nuk ka arsye të aplikojë politika subvensionuese. Në fakt, kompensimi i kategorive të caktuara që përfitonin nga ky fond, bie ndesh edhe me politikën e subvencionit, pas privatizimit të OSSH. Në buxhetin këtij viti ishin parashikuar rreth 500 milionë lekë dhe në buxhetin e vitit 2010 u planifikuan fillimisht 2 miliardë lekë, të cilat në mes të vitit u reduktuan në 1 miliardë lekë. Buxheti i shtetit për vitin 2012 nuk ka planifikuar fondin për kompensimin e faturës së energjisë elektrike edhe pse, sipas rregullores së ERE-s, ky vit parashikohet të jetë një vit që do po shqyrtohet rritja e çmimit të energjisë. Në këtë mënyrë të gjitha familjet që mbështeten me ndihmë ekonomike, personat e paaftë për punë, pensionistët etj., të cilët përfitonin nga kompensimi mujor i faturës së energjisë elektrike nuk do ta marrin më shumën simbolike prej 650 lekësh në muaj. Kjo pasi buxheti i shtrënguar i shtetit i ka eliminuar fondet për këtë zë, që në buxhetin fillestar të një viti më parë ishte 600 mln lekë, ndërsa në vitin 2010 ishte 2 mld lekë. Gjatë gjithë vitit 2010 dhe aktualisht kategoritë që përfitonin merrnin çdo muaj një shumë 650 lekë nga 500 lekë që kompensoheshin përpara 1 janarit 2010. Nga ky kompensim përfitonin familjet që mbështeten me ndihmë ekonomike, personat e paaftë për punë, të shpallur të tillë nga komisionet (KPCAP), punonjësit me pagë nën 350 mijë lekë, pensionistët e vetëm apo që kanë në ngarkim persona të tjerë. Që nga 1 janari 2010, qytetarët shqiptarë kanë paguar më shumë për konsumin e energjisë elektrike, pasi çmimi i saj u rrit me 13 për qind, sipas vendimit të Entit Rregullator në dhjetor të vitit të vitit paraardhës. Qeveria planifikoi një fond prej 2 miliardë lekë për kompensimin e çmimit të energjisë elektrike, duke garantuar kompensim 100% të vlerës së rritur të energjisë për kategoritë në nevojë. Kompensimi i deritanishëm i faturës së energjisë elektrike është bërë në bazë të VKM-së 138, datë 31.03.1994 “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”; Kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse në masën 350 dhe 700 lekë, e përfitonin të gjitha kategoritë e pensioneve të pleqërisë, të invaliditetit dhe ato familjare të qytetit, dhe në masën 200 lekë pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare, kur përfituesit banonin në fshat. Pensionistët e fshatit, kur banojnë në qytet, përfitojnë 350 lekë.