Financat: Ekonomia ka ndjerë pasojat e krizës
Gjatë viteve të krizës dhe pas krizës ekonomike globale (2009-2011), stabiliteti makro-ekonomik në vend ka ndjerë presionet negative të saj, thuhet në një analizë të Ministrisë së Financave për këtë qëllim. Rritja mesatare ekonomike e Shqipërisë gjatë viteve 2000-2008 (periudha para krizës) ishte në nivelin 6.2%, duke qenë mbi mesataren prej 5.3% të vendeve të EQL, ndërsa norma e inflacionit mesatar për këtë periudhë ishte 2.7%, ndjeshëm poshtë mesatares prej 8.5% të vendeve të EQL. Gjatë viteve 2009-2011, periudha e krizës dhe pas saj, ekonomia e Shqipërisë ka performuar me një rritje mesatare prej rreth 3.1% , dukshëm mbi rritjen mesatare prej 0% të vendeve të EQL, ndërsa inflacioni mesatar ka qenë në nivelin 3.2%, lehtësisht poshtë inflacionit mesatar prej 3.7% të vendeve të EQL. Gjatë secilit prej viteve 2009-2011 u arrit të evitohej recesioni ekonomik, i cili u përjetua në pjesën dërrmuese të vendeve të rajonit dhe më gjerë, dhe ekonomia shqiptare vijoi të performojë me ritme pozitive rritje.