E Diel, 1 Nëntor 2026

FMN nis vlerësimin e investimeve publike në Shqipëri, në fokus eficienca dhe transparenca

TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Shqipëria nis muajin shtator me misionin PIMA të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili do të vlerësojë menaxhimin e investimeve publike dhe proceset që lidhen me përdorimin e fondeve publike.

Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiri, bëri të ditur se misioni PIMA (Public Investment Management Assessment) do të fokusohet në vlerësimin e progresit të vendit dhe në identifikimin e hapësirave për përmirësimin e mëtejshëm të ciklit të investimeve publike.

Sipas tij, forcimi i disiplinës fiskale, ndërtimi i Listës Unike të Projekteve dhe përafrimi i kuadrit ligjor me atë të Bashkimit Evropian kanë kontribuar në përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike.

Yzeiri theksoi se problematikat e së kaluarës, të lidhura me faturat e pashlyera dhe projektet e pafinancuara, tashmë i përkasin të shkuarës, ndërsa bashkëpunimi me ekspertizën e FMN-së synon të çojë më tej standardet e planifikimit dhe zbatimit të investimeve.

Në fokus do të jetë përmirësimi i çdo etape të ciklit të investimit publik, nga planifikimi dhe përzgjedhja e projekteve, te financimi, zbatimi dhe monitorimi i tyre.

Vlerësimi PIMA pritet të ndihmojë në forcimin e eficiencës dhe transparencës në përdorimin e fondeve publike, duke synuar që investimet të sjellin rezultate më të qëndrueshme dhe më shumë vlerë për ekonominë dhe qytetarët.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›