Obligacionet 20-vjeçare, norma interesit rritet 6,54%

TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Yield-i i obligacioneve 20-vjeçare u rrit lehtë në ankandin e rihapjes të zhvilluar më 1 shtator, duke u fiksuar në 6,54%, nga 6,50% në ankandin e emetimit fillestar të këtij instrumenti në maj.
Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se për obligacionet me maturim më 6 maj 2046 u paraqitën 40 kërkesa konkurruese, me një vlerë totale prej 3,017 miliardë lekësh.
Kërkesa e investitorëve rezultoi më shumë se dyfishi i shumës së shpallur prej 1,5 miliardë lekësh, duke i krijuar Ministrisë së Financave hapësirë për të rritur vlerën e emetimit në 1,725 miliardë lekë. Nga kërkesat e paraqitura, u pranuan 23 oferta konkurruese.
Yield-i maksimal i kërkuar në ankand arriti në 7,20%, ndërsa minimumi ishte 6%. Në përfundim, yield-i i pranuar u fiksua në 6,54%, duke reflektuar një rritje të lehtë të kostos së financimit për instrumentin më afatgjatë të borxhit të brendshëm.
Rezultati i ankandit tregon njëkohësisht interes të qëndrueshëm të investitorëve për titujt afatgjatë të qeverisë, pavarësisht korrigjimit të lehtë në rritje të yield-it.
/e.xh/a.f/r.e/