E Premte, 6 Nëntor 2026

FOKUS – 46 vende evropiane miratojnë traktatin e IA

BRUKSEL, 17 maj /ATSH-DPA/ – Ministrat e Jashtëm të 46 vendeve të Këshillit të Evropës ranë dakord për një traktat mbi përdorimin e inteligjencës artificiale (IA).

“Me këtë traktat të ri ne synojmë të sigurojmë përdorim të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale që respekton të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë”, theksoi në një deklaratë për shtyp Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit, Marija Pejçinoviç.

Konventa Kuadër e Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale është traktati i parë ndërkombëtar i detyrueshëm për teknologjinë.

Edhe pse është hartuar nën kujdesin e Këshillit të Evropës, vendet e tjera mund ta nënshkruajnë atë.

Ndër të tjera, nënshkruesit bien dakord të krijojnë dispozita në ligjet e tyre kombëtare që sigurojnë transparencë, mbikëqyrje dhe llogaridhënie adekuate në përdorimin e sistemeve të inteligjencës artificiale.

Ata janë gjithashtu të përkushtuar të sigurojnë që sistemet e AI të mos diskriminojnë ose shkelin në mënyrë të padrejtë privatësinë e njerëzve./  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›