HAGË – Izraeli hedh poshtë akuzat për gjenocid para gjykatës së OKB-së

HAGË, 17 maj /ATSH-DPA/- Izraeli hodhi poshtë sot akuzat për kryerjen e gjenocidit në Rripin e Gazës, ndërsa argumentoi para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) se operacionet e tij ushtarake në qytetin e Rafah po zhvillohen për vetëmbrojtje.
“Çështja e ngritur nga Afrika e Jugut është një “shtrembërim i realitetit”, tha kreu i delegacionit të Izraelit, Gilad Noam, në sallën e gjyqit në Pallatin e Paqes në Hagë.
“Afrika e Jugut po abuzon me ligjin ndërkombëtar në një “mënyrë të neveritshme dhe cinike”, sipas Noam.
Në fund të seancës, një nga përfaqësuesit ligjorë të Izraelit u ndërpre pasi një grua bërtiti “Gënjeshtar” përpara se të nxirrej jashtë nga stafi i sigurisë.
Si pjesë e ankesës së saj për gjenocid, Afrika e Jugut po bën thirrje urgjente për gjykatën e lartë të OKB-së që të urdhërojë tërheqjen e Izraelit nga Rripi i Gazës.
GJND-ja duhet të ndalojë gjenocidin e vazhdueshëm kundër popullatës palestineze, sipas apelit, ndërsa Izraeli duhet t’u japë akses të papenguar hetuesve, mediave dhe ndihmës humanitare.
Padia e Afrikës së Jugut përmend vuajtjet dhe shkatërrimin total të qyteteve dhe spitaleve në Rripin e Gazës.
Arsyeja e aplikimit urgjent është ofensiva ushtarake izraelite në Rafah që filloi më 6 maj.
“Qyteti në jug të brezit bregdetar është “streha e fundit” për rreth 1,5 milionë palestinezë të cilët janë të përqendruar atje dhe jeta e të cilëve është në rrezik”, thanë përfaqësuesit ligjorë të Afrikës së Jugut në gjykatë.
Nga ana tjetër, delegacioni izraelit u tha gjykatësve se Rafahu ishte një “fortesë ushtarake e Hamasit” që gjuante raketa në drejtim të Izraelit dhe se Hamasi gjithashtu mbante shumë pengje.
“Izraeli po ofron gjithashtu ndihmë humanitare dhe po bën gjithçka që mundet për të mbrojtur popullsinë civile”, thanë përfaqësuesit.//a.i/