E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Erdogan dhe Trump diskutojnë çështje rajonale dhe globale

STAMBOLL, 5 maj /ATSH-AA/ – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tij amerikan, Donald Trump, kanë diskutuar çështjet rajonale dhe globale, si dhe lidhjet dypalëshe midis Turqidë dhe SHBA-së.

Siç njofton Drejtoria e Komunikimeve të Turqisë, presidenti Erdogan në bisedën telefonike e ftoi presidentin Trump të vizitojë Turqinë.

Erdogan i tha Trumpit se Ankaraja do të vazhdojë të ndërmarrë hapa për të avancuar bashkëpunimin me Uashingtonin, veçanërisht në fushën e industrisë së mbrojtjes.

Presidenti turk gjithashtu i tha presidentit amerikan se “kriza humanitare në Gaza ka arritur në një nivel të rëndë”, duke shprehur gatishmërinë e Ankarasë për të ofruar mbështetje në shpërndarjen e ndihmës humanitare dhe për të krijuar një paqe të qëndrueshme.

Duke shprehur mbështetje për qasjen e Trumpit për t’i dhënë fund luftërave, Erdogan tha se Turqia vlerëson përpjekjet e bëra në një proces negociatash me Iranin dhe drejt zgjidhjes së luftës Rusi-Ukrainë.

Më tej, Erdogan tha se Ankaraja po punon për të ruajtur integritetin territorial të Sirisë dhe për të siguruar stabilitetin e saj, si dhe theksoi rëndësinë e përpjekjeve të SHBA-së për të lehtësuar sanksionet ndaj Sirisë për të kontribuar në këtë proces.

Presidenti turk theksoi se një Siri e qëndrueshme do të mbështeste paqen rajonale dhe globale.

Presidenti Trump, nga ana e tij, bisedën telefonike me presidentin Erdogan e quajti “shumë të mirë dhe produktive”.

“Sapo zhvillova një bisedë telefonike shumë të mirë dhe produktive me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në lidhje me shumë tema, duke përfshirë luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, gjithçka që ka të bëjë me Sirinë, Gazën dhe të tjera”, tha Trump në një postim në mediat sociale.

“Presidenti më ftoi të shkoj në Turqi në një datë të ardhshme dhe po ashtu ai do të vijë në Washington D.C.”, shtoi ai.

Detaje shtesë mbi vizitat nuk u njoftuan.

Trump vlerësoi atë që e quajti “marrëdhënien e tij personale të shkëlqyer” me Erdoganin gjatë mandatit të tij të parë, duke theksuar se dy liderët “punuan ngushtë së bashku për shumë gjëra, përfshirë faktin se ai ndihmoi në kthimin në SHBA të pastorit Andrew Brunson, i cili ishte i burgosur, menjëherë pas kërkesës sime”.

“Në çdo rast, mezi pres të punoj me presidentin Erdogan për të përfunduar luftën qesharake, por vdekjeprurëse midis Rusisë dhe Ukrainës. Tani”, theksoi Trump./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›