E Enjte, 5 Nëntor 2026

HOLANDË – Ish-shefi i shërbimit sekret, Dick Schoof drejt postit të kryeministrit

AMSTERDAM, 28 maj /ATSH-DPA/ – Dick Schoof, ish-kreu i shërbimit sekret holandez, do të bëhet kryeministri i ri i Holandës, njoftoi sot qeveria e ardhshme e krahut të djathtë.

Schoof, 67 vjeç, aktualisht po shërben në detyrën e nëpunësit më të lartë civil në Ministrinë e Drejtësisë.

Para kësaj, ai ishte kreu i njësisë holandeze kundër terrorizmit dhe agjencisë holandeze të shërbimit sekret (AIVD).

Ai nuk ka asnjë lidhje aktuale partiake.

Partia nacionaliste dhe e krahut të djathtë për Lirinë e Geert Wilders shënoi një fitore dramatike në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit, por jo aq sa për të qeverisur plotësisht.

Për të bërë të mundur koalicionin, Wilders tha se nuk do të kërkonte të ishte kryeministër dhe hoqi dorë nga disa nga kërkesat e tij më të diskutueshme, siç është ndalimi i xhamive.

Wilders më në fund njoftoi dy javë më parë se kishte rënë dakord për një koalicion katërpalësh me Partinë Popullore liberale për Liri dhe Demokraci (VVD) të kryeministrit në largim Mark Rutte, partisë konservatore Kontrata e Re Sociale (NSC) dhe Lëvizjes populiste Fermer-Qytetar (BBB).

Wilders tha se Schoof “qëndron mbi palët dhe ka besimin tonë”.

Pritet të duhen disa javë që të finalizohet kabineti i ri./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›