E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – Foshnjat binjake vriten në Gazë pasi i ati regjistroi lindjet

TIRANË, 14 gusht /ATSH/- Binjakët e porsalindur thuhet se u vranë gjatë një sulmi izraelit në Gazë, ndërsa babai i tyre ishte në një zyrë të qeverisë lokale për të regjistruar lindjen e tyre, sipas BBC.

Asser, një djalë dhe Ayssel, një vajzë, ishin vetëm katër ditësh kur babai i tyre Mohammed Abu al-Qumsan shkoi për të marrë certifikatat e tyre të lindjes.

Ndërsa ai ishte larg, fqinjët e tij i telefonuan për të thënë se shtëpia e tyre në Deir al Balah ishte bombarduar.

Sulmi vrau gjithashtu bashkëshorten e tij dhe gjyshen e binjakëve.

“Unë nuk e di se çfarë ndodhi. Më kanë thënë se ishte një predhë që goditi shtëpinë”, tha ai. “Nuk pata kohë as të festoja”, shtoi ai.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës e drejtuar nga Hamasi tha se 115 foshnja kanë lindur dhe më pas janë vrarë gjatë luftës.

Sipas agjencisë së lajmeve AP, familja kishte ndjekur një urdhër për të evakuuar qytetin e Gazës në javët e para të luftës Izrael-Gaza, duke kërkuar strehim në pjesën qendrore të rripit, siç udhëzonte ushtria izraelite.

BBC i ka kërkuar ushtrisë izraelite një koment për sulmin dhe është në pritje të një përgjigjeje.

Izraeli tha se po përpiqet të shmangë dëmtimin e civilëve dhe ka fajësuar Hamasin për vdekjen e tyre – që vepron në zona të dendura banimi, duke përfshirë përdorimin e ndërtesave civile si strehë.

Disa strehimore të tilla në Gaza janë sulmuar gjatë javëve të fundit.

“Të shtunën, një sulm ajror izraelit goditi një ndërtesë shkolle që strehonte palestinezët e zhvendosur në qytetin e Gazës – duke vrarë më shumë se 70 njerëz”, tha drejtori i një spitali.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se shkolla shërbente si një objekt ushtarak aktiv i Hamasit dhe Xhihadit Islamik, gjë që Hamasi e ka mohuar. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›