FOKUS – Izraeli dhe Hamasi ndërmarrin hapat e parë drejt zbatimit të marrëveshjes së Trump për paqen në Gaza

TEL AVIV/GAZA, 9 tetor /ATSH-DPA/- Izraeli dhe organizata militante palestineze “Hamas” kanë nisur zbatimin e hapave të parë drejt miratimit të një marrëveshjeje paqeje, njoftoi sot presidenti i SHBA-së, Donald Trump gjatë natës.
Media izraelite raportoi se Kabineti i Sigurisë do të mblidhej sot pasdite për t’u informuar mbi marrëveshjen e Gazës.
Kjo thuhet se do të pasohej nga një takim i plotë qeveritar për të votuar mbi marrëveshjen.
Zaher Jabareen, kreu i zyrës së çështjeve të të burgosurve për Hamasin, lëshoi një deklaratë – duke thënë se lëvizja islamiste kishte paraqitur listat e të burgosurve palestinezë sipas kritereve të dakordësuara brenda kornizës së marrëveshjes – ndërsa pret miratimin përfundimtar të emrave para shpalljes së tyre.
Trump njoftoi se negociatat indirekte në Egjipt kishin rezultuar me një marrëveshje mbi fazën e parë të planit të paqes.
Sipas fazës së parë, të gjithë pengjet e mbajtura në Gaza do të lirohen dhe forcat izraelite do të tërhiqen nga vija e frontit, për të cilën është rënë dakord.
Marrëveshja është vlerësuar nga udhëheqësit në të gjithë botën dhe presidenti izraelit Isaac Herzog tha se Trump duhej të merrte Çmimin Nobel për Paqen – i cili do të shpallet të premten.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shkroi në X se marrëveshja e arritur Izrael-Hamas ishte një sukses diplomatik dhe një fitore kombëtare dhe morale për Shtetin e Izraelit.
Plani i paqes me 20 pika i propozuar nga Trump parashikon që Izraeli të tërheqë forcat e tij në Gaza në një “vijë fillestare tërheqjeje” – në këmbim të lirimit të pengjeve të mbetura – të gjallë dhe të vdekur – të cilët tani mbahen nga grupi islamist – për më shumë se dy vjet.
Sipas planit, Izraeli do të lironte rreth 250 palestinezë që vuajnë dënime me burgim të përjetshëm dhe afërsisht 1 700 të tjerë të arrestuar – pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. //a.i/