GJERMANI – Merz i kujdesshëm për marrëveshjen e paqes në Gaza

TEL AVIV, 9 tetor /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz përshëndeti sot marrëveshjen për fazën e parë të planit të paqes të presidentit amerikan Donald Trump për të dhënë fund luftës në Gaza.
“Jemi të inkurajuar nga zhvillimet në Izrael,” tha ai, duke paralajmëruar se marrëveshja “ende nuk është finalizuar përfundimisht”.
Trump njoftoi më parë se Izraeli dhe grupi militant palestinez Hamas arritën një marrëveshje gjatë bisedimeve indirekte në Egjipt.
Sipas marrëveshjes, të gjithë pengjet që mbahen në Gaza do të lirohen, ndërsa Izraeli do të tërhiqet në një vijë të dakorduar reciprokisht. Marrëveshja duhet të miratohet nga qeveria izraelite përpara se të nënshkruhet.
Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul dhe ambasadori gjerman në Izrael, Steffen Seibert, gjithashtu përshëndetën këtë përparim të arriur në mesnatë.
“Marrëveshja për fazën e parë nënkupton se lirimi i pengjeve dhe një armëpushim janë të afërt”, shkroi Wadephul në X. “Gjermania është e gatshme të mbështesë hapat e mëtejshëm drejt paqes”.
“Faleminderit paqebërësve! Është bukur të zgjohesh me perspektivën e një fundi të makthit”, shkroi ambasadori Seibert.
Ai tha se ndihej i motivuar të punonte në emër të Gjermanisë për paqe, rindërtim dhe shërim./Ad.Ab./