E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Izraeli vijon sulmet ndaj objektivave të Hezbollahut në Liban, pavarësisht armëpushimit

TEL AVIV, 27 prill /ATSH-DPA/- Ushtria e Izraelit njoftoi se ka kryer sot sulme të reja ndaj objektivave të lidhura me Hezbollahun, të mbështetur nga Irani, në Liban, megjithëse armëpushimi mbetet zyrtarisht në fuqi.

Sipas autoriteteve izraelite, është goditur infrastruktura, e lidhur me grupin në jug të Libanit, si dhe në Luginën Bekaa në lindje – një zonë që nuk ishte shënjestruar që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit.

Burime të sigurisë libaneze thanë se forcat izraelite kanë goditur zona të rëndësishme, bastione të Hezbollahut, me sulme ajrore të rënda të raportuara në disa pika në jug të vendit. Nuk ka ende raportime të menjëhershme për viktima.

Mediat izraelite raportuan se kryeministri Benjamin Netanyahu, ministri i Mbrojtjes Israel Katz dhe zyrtarë të lartë të Sigurisë zhvilluan më herët një takim për të diskutuar shkeljet e pretenduara të armëpushimit nga Hezbollahu.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi të enjten një zgjatje prej tre javësh të armëpushimit mes Izraelit dhe Libanit, me qëllim krijimin e hapësirës për diplomaci.

Megjithatë, Netanyahu ka udhëzuar së fundmi ushtrinë të intensifikojë goditjet ndaj objektivave të Hezbollahut.

Sipas kushteve të marrëveshjes, Izraeli mund të veprojë kundër kërcënimeve të menjëhershme ose në zhvillim, por pritet të shmangë operacione të gjera brenda territorit libanez.

Hezbollahu nuk ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në bisedimet për armëpushim të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, ndërsa qeveria libaneze nuk ka kontroll të drejtpërdrejtë mbi grupin, megjithëse ka deklaruar se do ta respektojë armëpushimin nëse Izraeli ndalon sulmet.

Izraeli raportoi gjithashtu për një sulm me dron nga Hezbollahu në rajonin verior të vendit më herët gjatë së hënës, duke aktivizuar sirenat e alarmit ajror.

Udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qassem, deklaroi më herët gjatë ditës se grupi nuk do të hyjë në negociata të drejtpërdrejta me Izraelin dhe do të vijojë atë që e cilëson si “rezistencë mbrojtëse”.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi dje se sulmet izraelite në jug të vendit kanë vrarë 14 persona, përfshirë dy fëmijë, dhe kanë plagosur 37 të tjerë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›