E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Japonia lutet në heshtje në 80-vjetorin e bombës atomike

HIROSHIMA, 6 gusht /ATSH/ – Një lutje e heshtur u mbajt në Japoni sot në mëngjes, ndërsa shënoi 80-vjetorin që kur Shtetet e Bashkuara hodhën një bombë atomike në qytetin e Hiroshimës.

Kryeministri japonez, Shigeru Ishiba mori pjesë në ceremoni, së bashku me zyrtarë nga e gjithë bota dhe kryetarin e bashkisë së qytetit Kazumi Matsui.

Matsui paralajmëroi për një “trend global në përshpejtim drejt ndërtimit ushtarak… dhe idesë se armët bërthamore janë thelbësore për mbrojtjen kombëtare” duke thënë se kjo ishte një “shpërfillje flagrante e mësimeve që bashkësia ndërkombëtare duhet të kishte nxjerrë nga tragjeditë e historisë”.

Lufta e Dytë Botërore përfundoi me dorëzimin e Japonisë pas hedhjes së bombave në Hiroshima dhe Nagasaki.

Bombat vranë më shumë se 200 000 njerëz – disa nga shpërthimi i menjëhershëm dhe të tjerë nga sëmundja e rrezatimit dhe djegiet.

Kjo ngjarje vazhdon t’i përndjekë edhe sot të mbijetuarit.

“Babai im u dogj keq dhe u verbua nga shpërthimi. Lëkura e tij varej nga trupi – ai nuk mund të më mbante as dorën”, tha i mbijetuari i Hiroshimës, Shingo Naito.

Ai ishte gjashtë vjeç kur bomba goditi qytetin e tij, duke vrarë babanë dhe dy vëllezërit e motrat e tij më të vegjël.

Naito ndau historinë e tij me një grup studentësh në Hiroshima, të cilët po i shndërrojnë kujtimet e tij të tragjedisë në art.

Në vitin 2024, Nihon Hidankyo, një grup japonez i të mbijetuarve të bombës atomike, fitoi çmimin Nobel për Paqen për përpjekjet e tyre për të çliruar botën nga armët bërthamore./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›