E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – Luftanija gjermane hyn në ngushticën e Tajvanit, pavarësisht protestave kineze

PEKIN, 13 shtator /ATSH-DPA/ – Fregata gjermane ‘’Baden-Württemberg’’ hyri sot në ngushticën midis Kinës dhe Tajvanit, sipas të dhënave pozicionale në internet, duke shënuar herën e parë në më shumë se 20 vjet që një anije ushtarake gjermane ka përdorur rrugën e ndjeshme politikisht.

Anija e furnizimit ‘’Frankfurt am Main’’ kaloi së bashku me anijen luftarake në ngushticën e Tajvanit.

Kina e konsideron Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike si një provincë të shkëputur dhe ngushticën si ujëra kineze dhe jo ndërkombëtare.

Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius konfirmoi sot rrugën e anijes në një konferencë shtypi në Berlin me homologun e tij lituanez Laurynas Kasciunas duke thënë se “janë ujëra ndërkombëtare, kështu që ne po kalojmë”.

Ministria e Jashtme kineze në Pekin ka përsëritur kundërshtimin e saj ndaj atyre që i quan provokime dhe kërcënime që dëmtojnë sovranitetin dhe sigurinë e Kinës, nën maskën e lirisë së lundrimit.

Edhe luftanije nga vende të tjera, si Shtetet e Bashkuara, kanë kaluar gjithashtu nëpër ngushticë në të kaluarën, duke shkaktuar protesta nga Pekini./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›