FOKUS – Merz dhe Trump zbusin tensionet, diskutojnë për Iranin dhe NATO-n

BERLIN, 15 maj /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz tha se zhvilloi sot një bisedë “të mirë” telefonike me Donald Trump, në një përpjekje të dukshme për të zbutur tensionet mes dy liderëve pas kritikave të hapura të kancelarit gjerman ndaj luftës amerikane kundër Iranit.
Sipas Merz, telefonata u zhvillua ndërsa Trump po kthehej nga vizita shtetërore në Kinë.
Në një postim në platformën X, kancelari gjerman tha se të dy udhëheqësit kishin rënë dakord që Irani duhej të rikthehej menjëherë në tryezën e negociatave.
“Ne jemi dakord, Irani duhet të vijë tani në tryezën e bisedimeve. Ai duhet të hapë Ngushticën e Hormuzit. Teheranit nuk duhet t’i lejohet të ketë armë bërthamore”, shkroi Merz.
Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe SHBA-së janë tensionuar javët e fundit, pasi Merz akuzoi publikisht Uashingtonin për mungesë të një strategjie të qartë ndaj Iranit.
Në fund të prillit, gjatë një takimi me nxënës të shkollave në Gjermani, ai deklaroi se qeveria iraniane e kishte “poshtëruar” SHBA-në në negociata.
Trump reagoi ashpër, duke e cilësuar Merz si një udhëheqës “plotësisht joefektiv” të një “vendi të rrënuar” dhe duke shtuar se ai “mendon se është në rregull që Irani të ketë armë bërthamore”.
Pak ditë më pas, Pentagoni njoftoi tërheqjen e rreth 5 000 ushtarëve amerikanë nga bazat në Gjermani.
Në një postim të dytë sot, Merz tha se ai dhe Trump kishin diskutuar edhe përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukraine, si dhe koordinimin e qëndrimeve përpara samitit të ardhshëm të NATO-s, i planifikuar të zhvillohet në Ankara në korrik.
“SHBA-ja dhe Gjermania janë partnerë të fortë në një NATO të fortë”, shkroi Merz.
Trump ka pasur vazhdimisht përplasje me aleatët e NATO-s dhe ka sugjeruar se mund të tërheqë SHBA-në nga aleanca, duke përmendur mosmarrëveshjet për shpenzimet e mbrojtjes dhe atë që ai e cilëson si “mbështetje të pamjaftueshme për veprimet ushtarake amerikane kundër Iranit”. //a.i/