FOKUS – Mijëra emigrantë i drejtohen kufirit jugor të SHBA në ditën e zgjedhjeve

MEKSIKKO SITI, 6 nëntor /ATSH-DPA/ – Mijëra emigrantë u nisën të martën, ditën kur votuesit amerikanë do të zgjidhnin presidentin e tyre të ri, në një përpjekje për të arritur kufirin jugor të SHBA nga Meksika.
”Ata thuhet se u nisën në dy grupe nga qytetet Tapachula dhe Tuxtla Gutiérrez në shtetin e Chiapas”, sipas aktivistëve.
Raportet e medias sugjerojnë se rreth 3 000 njerëz, duke përfshirë familje me fëmijë, janë bashkuar për të udhëtuar drejt veriut më këmbë.
Megjithatë, shumë nga këto karvane zakonisht shpërndahen pas disa ditësh në Meksikë.
Këto grupe shpesh organizohen nga aktivistët.
Emigracioni është një temë kyçe në zgjedhjet presidenciale të së martës në SHBA, me kandidatin republikan Donald Trump që shpesh bën komente nënçmuese për migrantët, duke i quajtur ata kriminelë dhe përdhunues.
Ai ka kërkuar dënimin me vdekje për çdo emigrant që vret një shtetas apo oficer policie amerikane.
Kandidatja demokrate Kamala Harris premtoi se do të punojë si presidente për mbrojtjen e kufijve dhe për të rregulluar “sistemin e prishur të emigracionit”.
“Sot është një ditë e rëndësishme sepse ne do të dimë se kush do të vendoset në Shtëpinë e Bardhë”, tha Irineo Mujica nga organizata “Pueblo sin Fronteras” (Njerëz pa Kufij).
Mujica tha se fitorja zgjedhore e Trump ose Harris do të kishte ndikime të ndryshme, por të dy do të kishin përgjegjësinë për të adresuar flukset e migracionit.
Shumë njerëz, duke ikur nga varfëria, dhuna dhe krizat politike në vendlindjet e tyre, zgjedhin rrugën mbi kufirin jugor të SHBA.
Shumë vijnë nga vendet e Amerikës së Jugut.
Qindra vdesin çdo vit në rrugën e rrezikshme të veriut, shpesh për shkak të mungesës së ujit dhe goditjeve të nxehtësisë.
Të tjerët bien viktima të bandave kriminale./ a.jor.