FOKUS – Mijëra emigrantë kalojnë kufirin nga Maroku, Spanja forcon sigurinë në enklavën Ceuta

MADRID, 31 korrik /ATSH/- Spanja ka vendosur të dërgojë forca ushtarake në enklavën e saj Ceuta, pas një vale të madhe emigrantësh që kaluan nga Maroku duke notuar në det, sipas BBC.
Të paktën 18 persona humbën jetën gjatë përpjekjeve për të arritur në Ceuta. Autoritetet lokale kërkuan ndihmën e Madridit, për shkak të rritjes së përpjekjeve për kalime të paligjshme, por dje situata doli jashtë kontrollit dhe kontrollet kufitare u dobësuan.
Ministria e Brendshme spanjolle njoftoi se ushtria do të mbështesë Gardën Civile, për të garantuar sigurinë në qytet. Ndërkohë, Spanja tha se po bashkëpunon me Marokun për kthimin sa më të shpejtë të personave, që kanë hyrë ilegalisht.
Sipas medias spanjolle, rreth 2 mijë deri në 3 mijë emigrantë mund të kenë hyrë në Ceuta vetëm gjatë ditës së djeshme, ndërsa autoritetet nuk kanë konfirmuar ende shifrën zyrtare.
Qindra persona të tjerë kaluan edhe në Melilla, një tjetër enklavë spanjolle në Afrikën e Veriut.
Pamjet nga zona, treguan mijëra të rinj që flinin në rrugë, përplasje me policinë dhe hedhje gurësh pranë pikave kufitare.
Në qytetin maroken Fnideq, pranë kufirit me Ceutan, autoritetet përdorën ujë me presion për të penguar emigrantët të kalonin.
Ceuta dhe Melilla janë dy territoret e vetme të Bashkimit Evropian, me kufi tokësor me Afrikën, dhe prej vitesh janë pika kryesore për emigrantët që përpiqen të hyjnë në Evropë.
Kriza ka shkaktuar edhe tensione politike brenda Evropës. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni tha se Italia po shqyrton masa të jashtëzakonshme, përfshirë mundësinë e pezullimit të rregullave të zonës Shengen me Spanjën, duke e cilësuar emigracionin e pakontrolluar, si kërcënim për sigurinë e kufijve evropianë.
Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares kritikoi deklaratat italiane, duke i quajtur ato “përdorim politik” të çështjes së emigracionit dhe kërkoi më shumë solidaritet evropian.
Kjo situatë rikthen kujtimet e krizës së majit 2021, kur rreth 8 mijë persona hynë në Ceuta nga Maroku brenda pak ditësh, duke shkaktuar një përkeqësim të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. //a.i/