FOKUS – Nawrocki: Polonia ka nevojë për armët e veta bërthamore

VARSHAVË, 16 shkurt /ATSH-DPA/ – Polonia duhet të ketë një program të vetin të armëve bërthamore duke pasur parasysh kërcënimin që Rusia paraqet për vendin, deklaroi presidenti polak, Karol Nawrocki.
”Rruga drejt kapacitetit bërthamor polak me respekt të plotë për rregullat ndërkombëtare është rruga që duhet të ndjekim”, tha Nawrocki, duke folur për transmetuesin “Polsatnews”.
Presidenti i djathtë është komandanti i përgjithshëm i ushtrisë polake.
Vendi i Evropës Lindore ka kufij me Ukrainën, e cila prej gati katër vitesh po mbron veten nga një pushtim i plotë rus, dhe me Bjellorusinë, dashamirëse ndaj Rusisë.
“Duke qenë se Polonia ndodhet direkt në kufirin e një konflikti të armatosur, siguria e vendit duhet të përforcohet me një program armësh bërthamore”, argumentoi Nawrocki.
Ai nuk mundi të tregonte se kur mund të fillonte një program i tillë.
I pyetur nëse kishte frikë nga një reagim rus ndaj këtij veprimi, presidenti polak tha se ”Rusia mund të reagojë në mënyrë agresive ndaj çdo gjëje”.
Polonia, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, është një nga aleatet më të afërta ushtarake dhe politike të Ukrainës.
Me këtë iniciativë, Nawrocki shkon më tej se paraardhësi i tij Andrzej Duda, i cili në 2024 tha se vendi i tij ishte i gatshëm të kishte armë bërthamore amerikane të vendosura në territorin e tij nën marrëveshjen e ashtuquajtur ndarje bërthamore e NATO-s, nëse do të ishte e nevojshme.
NATO kishte deklaruar atëherë se zgjerimi i vendosjes së armëve bërthamore nuk ishte planifikuar.
Shtetet e Bashkuara të Bashkuara kanë vendosur armë bërthamore në disa vende evropiane nën ndarjen bërthamore për dekada të tëra.
Nuk ka informacione zyrtare për vendndodhjet, por besohet se armët ruhen në Gjermani, Holandë, Belgjikë, Itali dhe Turqi./ /Ad.Ab./ a.jor.