E Diel, 1 Nëntor 2026

HUNGARI – Rubio vlerëson marrëdhënien Orban-Trump gjatë vizitës në Budapest

BUDAPEST, 16 shkurt /ATSH-DPA/- Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio theksoi sot bashkëpunimin e ngushtë të vendit të tij me Budapestin dhe “marrëdhënien, shumë të ngushtë personale” midis udhëheqësve amerikanë dhe hungarezë.

“Kryeministri dhe presidenti kanë një marrëdhënie shumë, shumë të ngushtë personale dhe një marrëdhënie pune”, u tha Rubio gazetarëve gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin hungarez, Viktor Orban në Budapest.

Orbán e mbështeti këtë pikëpamje, duke thënë se inaugurimi i dytë i Trump vitin e kaluar ishte fillimi i “epokës së artë” në marrëdhëniet SHBA-Hungari.

Populisti i krahut të djathtë ishte një mbështetës i hershëm i Trump, duke deklaruar mbështetjen e tij të pakushtëzuar për manjatin e pasurive të patundshme në Nju Jork para fitores së tij të parë zgjedhore në 2016 – i vetmi kryetar i një vendi të BE-së që e bëri këtë.

Orbán tha se do të merrte pjesë në takimin e parë të Bordit të Paqes të Trump, i cili është krijuar për të mbikëqyrur rindërtimin dhe rendin pas luftës në Rripin e Gazës.

Shumë shtete evropiane e konsiderojnë institucionin e ri si një rival të Kombeve të Bashkuara dhe kanë refuzuar të bashkohen.

Takimi erdhi pas fjalimit të Rubio të shtunën në Konferencën e Sigurisë në Mynih, në të cilin sekretari amerikan i shtetit kërkoi të siguronte Evropën për rëndësinë e vazhdueshme të marrëdhënies transatlantike.

Më pas, ai udhëtoi në kryeqytetin sllovak, Bratislavë, për t’u takuar me kryeministrin Robert Fico, i cili konsiderohet gjithashtu një mbështetës i fortë i Trump.

Vëzhguesit thanë se udhëtimi i diplomatit amerikan nënvizon “shkallën” në të cilën administrata Trump po mbështet forcat euroskeptike dhe joliberale në Evropë.

Vlerësimet e Rubio për Orban dhe portretizimi i tij i lidhjeve të ngushta midis dy vendeve po shihen gjithashtu si një përpjekje për të forcuar Orbán përpara zgjedhjeve parlamentare hungareze, të caktuara për 12 prill.

Rivali i qendrës së djathtë, Peter Magyar është aktualisht shumë përpara Orban në sondazhe. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›