E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

FOKUS – Rusia: Sulmet e Ukrainës me ATACMS një fazë e re e luftës

RIO DE ZHANEIRO, 19 nëntor /ATSH-AFP/ – Rusia tha sot se përdorimi i raketave me rreze të gjatë ATACMS nga ana e Ukrainës kundër territorit të saj shënoi një fazë të re të luftës së perëndimorëve kundër Moskës dhe u zotua të reagojë “në përputhje me rrethanat”.

“Ukraina i përdori raketat për të shënjestruar një objekt ushtarak në rajonin kufitar Bryansk të Rusisë gjatë natës”, tha Moska, “vetëm disa ditë pasi Uashingtoni hapi dritën jeshile që Kievi të përdorte armët me rreze të gjatë kundër objektivave ruse”.

“Ky është, sigurisht, një sinjal se ata duan që situata të përshkallëzohet”, tha ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke folur në një konferencë shtypi të G20-s në Brazil.

“Ne do ta marrim këtë si një fazë cilësisht të re të luftës së perëndimorëve kundër Rusisë. Dhe ne do të reagojmë në përputhje me rrethanat”, shtoi ai duke akuzuar Uashingtonin për ndihmën e Kievit për të operuar raketat.

Rusia ka pohuar prej kohësh se Sistemi i Raketave Taktike të Ushtrisë, i njohur me inicialet ATACMS, është i programuar nga specialistë amerikanë dhe kërkon udhëzime nga satelitët amerikanë./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›