FOKUS – Spanja, Irlanda dhe Norvegjia njohin zyrtarisht shtetësinë palestineze

MADRID, 28 maj /ATSH-DPA/- Spanja, Irlanda dhe Norvegjia kanë njohur sot zyrtarisht shtetin palestinez në një përpjekje të koordinuar të kundërshtuar nga Izraeli.
Të tre vendet njoftuan javën e kaluar se njohja e Palestinës do të hynte sot në fuqi, një moment vendimtar i politikës së mëparshme që çoi në ftohjen diplomatike me Izraelin.
Akti ka një vlerë të fuqishme simbolike duke pasur parasysh se shumica e vendeve të tjera të Evropës Perëndimore mbajnë qëndrimin se shtetësia palestineze mund të vijë vetëm pas negociatave të drejtpërdrejta ndërmjet dy palëve.
“Ky vendim i Irlandës ka të bëjë me mbajtjen gjallë të shpresës. Ka të bëjë me besimin se një zgjidhje me dy shtete është mënyra e vetme që Izraeli dhe Palestina të jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri”, tha në një deklaratë kryeministri irlandez, Simon Harris.
Në Madrid, kryeministri Pedro Sanchez tha se Spanja kishte ndërmarrë hapin madhor për të ndihmuar izraelitët dhe palestinezët të arrijnë paqen.
Ai tha se nuk i takon Spanjës të vendoste për kufijtë e saktë të një shteti tjetër, por se Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës duhet të lidhen me një korridor, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.
Sanchez tha se qeveria e tij është kundër grupit islamik palestinez Hamas dhe dënon fuqishëm sulmet e militantëve ndaj Izraelit më 7 tetor.
“Megjithatë, njohja është e vetmja rrugë për një zgjidhje me dy shtete”, theksoi kryeministri spanjoll Sanchez.
Gjithashtu, Norvegjia njohu zyrtarisht Palestinën si një shtet të pavarur.
“Për më shumë se 30 vjet, Norvegjia ka qenë një nga mbështetëset më të mëdhaja për një shtet palestinez. Sot, kur Norvegjia e njeh zyrtarisht Palestinën si shtet, është një moment historik në marrëdhëniet midis Norvegjisë dhe Palestinës”, tha ministri i Jashtëm norvegjez Espen Barth Eide.
Eide tha se njohja e Palestinës ishte një shprehje e qartë e mbështetjes për forcat e moderuara midis izraelitëve dhe palestinezëve. Ai gjithashtu kritikoi qasjen e Izraelit ndaj palestinezëve. //a.i/