E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – Spanja kërkon bllokimin e disa funksioneve të Meta-s për zgjedhjet evropiane

MADRID, 31 maj /ATSH-ANSA/ – Autoriteti spanjoll i privatësisë (AEDP) ka urdhëruar, si masë paraprake, bllokimin e dy funksioneve që Meta – kompania që zotëron Facebook dhe Instagram, Threads dhe WhatsApp – kishte planifikuar t’i vinte në dispozicion të përdoruesve gjatë zgjedhjeve evropiane.

Kjo u mësua nga një komunikatë për shtyp.

“Funksionet” në fjalë quhen Informacioni i Ditës së Zgjedhjeve (EDI) dhe Njësia e Informacionit të Votuesve (VIU) dhe synojnë t’u ofrojnë përdoruesve informacion në lidhje me raundin zgjedhor për rinovimin e Parlamentit Evropian.

Për garantuesin spanjoll të privatësisë, me këto funksione “Meta synon të përpunojë të dhëna personale si, ndër të tjera, emrin e përdoruesit, adresën IP, moshën dhe gjininë ose informacionin mbi ndërveprimet”.

Është pikërisht përdorimi i mundshëm i të dhënave personale që ngjall dyshime, pasi mund të ”përbëjë rreziqe serioze për të drejtat dhe liritë e përdoruesve të Facebook dhe Instagram”.

Nisur nga këto premisa, AEDP ka vendosur të ndërhyjë me një masë urgjente, në përputhje me atë që ishte vendosur tashmë nga Garantori Italian i Privatësisë në mars 2023 në lidhje me mjetin Meta Information për Ditën e Zgjedhjeve.

Siç sqaron vetë autoriteti spanjoll, kjo procedurë ende e hapur do të thotë se edhe në Itali Meta nuk do të mund të nisë funksionet elektorale në funksion të zgjedhjeve europiane.

Në fund të prillit, Komisioni Evropian njoftoi fillimin e procedurave formale për të vlerësuar nëse Meta kishte shkelur Aktin e Shërbimeve Dixhitale (DSA) në lidhje me “reklamat mashtruese dhe përmbajtje politike”./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›