E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – WSJ: Shtëpia e Bardhë krijon task-forcë për të vlerësuar rreziqet dhe mundësitë e IA-së

UASHINGTON, 4 tetor /ATSH -AA/ – Shtëpia e Bardhë ka krijuar një task-forcë për të vlerësuar rreziqet dhe mundësitë që paraqet inteligjenca artificiale dhe për të shqyrtuar rolin e qeverisë federale në mbikëqyrjen e teknologjisë që po zhvillohet me shpejtësi, raportoi të shtunën Wall Street Journal.

“Task-forca për Superinteligjencën”, e kryesuar nga drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, do të ketë 120 ditë kohë për të përgatitur gjetjet e saj.

Ajo do të shqyrtojë ligjet ekzistuese dhe masat e mundshme që mund të ndërmarrë Kongresi, ndërsa do të bashkëpunojë me industrinë e teknologjisë për të identifikuar rreziqet dhe mundësitë.

Mandati i saj parashikon hartimin e planeve për t’iu përgjigjur kërcënimeve që paraqet inteligjenca artificiale e avancuar, duke shmangur rregulloret që mund të pengojnë inovacionin dhe konkurrencën.

Task-forca do të shqyrtojë gjithashtu mënyrën se si raportohen te qeveria shkeljet e sigurisë, sulmet kibernetike, anashkalimi i kufizimeve të modeleve dhe incidente të tjera të lidhura me inteligjencën artificiale, si dhe do të rekomandojë mënyra për përmirësimin e reagimit federal në kuadër të kompetencave ekzistuese.

Krijimi i saj vjen pas një takimi të martën në Shtëpinë e Bardhë midis presidentit Donald Trump dhe drejtuesve të kompanive teknologjike, përfshirë presidentin e OpenAI, Greg Brockman, CEO-n e Anthropic, Dario Amodei, dhe CEO-n e Nvidia-s, Jensen Huang.

Trump tha se drejtuesit e kompanive më të mëdha amerikane të teknologjisë nënshkruan një marrëveshje “moralisht detyruese” për vendosjen e kontrolleve mbi inteligjencën artificiale, përfshirë monitorimin e brendshëm të sigurisë dhe shqyrtimet e pavarura nga palë të jashtme të sistemeve të tyre.

Trump ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së lidershipit të SHBA-së në këtë teknologji, ndërsa ka mbështetur masat vullnetare të industrisë për sigurinë, në vend të rregullimit më të rreptë nga qeveria.  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›