E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhupa: Terminali i autobusëve në Sarandë nuk zgjidh çështjen e trafikut dhe parkimeve

TIRANË, 4 tetor/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa reagoi sot lidhur me gjendjen e terminalit të autobusëve në Sarandë, ndërsa theksoi se objekti nuk është i pajisur me certifikatë kolaudimi dhe certifikatë sigurie.

Në një videomesazh nga terminali i Sarandës, Zhupa u shpreh se investimi është projektuar gabim, pasi autobusët që nisen drejt Tiranës dhe destinacioneve të tjera nuk mund të dalin direkt në rrugën kryesore, por detyrohen të bëjnë rreth 1.5 kilometra për të arritur te rrethrrotullimi dhe më pas të marrin drejtimin e duhur.

“Terminali edhe pse është në përdorim është i papajisur me një certifikatë kolaudimi dhe me një certifikatë sigurie. Nuk dihet dhe nuk ka informacion mbi lejen e ndërtimit dhe parametrat për të qenë një terminal funksional dhe jo burim aksidentesh dhe kaosi”, tha Zhupa.

Sipas saj, terminali nuk ka zgjidhur as problemin e trafikut dhe as atë të parkimeve në qytet.

Ajo argumentoi se autobusët vijojnë të futen në qytet, ndërsa qytetarët nuk e përdorin terminalin si parkim, pasi ndodhet larg qendrës dhe mungojnë linjat e rregullta të transportit urban.

“Terminali do duhet të ishte zgjidhja e qytetit për trafikun. Duhet të ishte zgjidhja e qytetit për lehtësimin e parkingjeve në qytet. As njërën dhe as tjetrën nuk e ka bërë sepse trafiku vazhdon njëlloj se edhe autobuzët janë të detyruar të futen përsëri në një pjesë të qytetit”, shtoi ajo.

Zhupa e cilësoi projektin një investim fasadë dhe akuzoi Bashkinë e Sarandës për keqpërdorim të fondeve publike, duke thënë se investimi nuk u ka dhënë qytetarëve zgjidhjen që u ishte premtuar për trafikun dhe parkimet.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›