E Diel, 1 Nëntor 2026

FOL do ligj që s’fsheh pasurinë e zyrtarëve të lartë

 Lëvizja FOL organizoi sot debatin me temën mbi Ligjin për Deklarimin e Pasurisë së Zyrtarëve të lartë Publikë, i cili është në proces të ndryshimeve të rëndësishme dhe të harmonizimit më Kodin Penal të Kosovës.

Petrtit Zogaj, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes FOL, deklaroi se qëllimi i këtij debati është që të diskutohet me akterët kryesor dhe palët të interesuara lidhur me plotësimin, ndryshimin dhe harmonizimin e këtij ligji me Kodin e ri Penal të Kosovës.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë Bedri Bahtiri, tha se ndryshimi dhe harmonizimi i ligjeve ka dalë si kërkesë nga Raporti i Studimit të Fizibilitetit. “Ne si ministri kemi pritur rekomandimet edhe të Agjenicionit Kundër Korrupsion, por edhe të Agjencionit për mbrojtjen e të dhënave Personale. Kemi mbajtur edhe debat me OJQ-të, andaj sapo të kemi edhe një version me ndryshimet e propozuar do ta dërgojmë tek të gjithë palët e interesuara për komente”.

Sipas tij, për plotësimin dhe ndryshimin e këtij Ligji Ministria e Drejtësisë ka ftuar edhe ekspertë ndërkombëtar në mënyrë që të kemi një ligj duke u bazuar në praktikat e mirë nga vendet evropiane.

Afrim Atashi, përfaqësues i Agjencisë Kundër Korrupsion, tha se AKK-ja edhe në grupin punues ka kërkuar dhe është arritur që publikimi të bëhet, ndërkaq ka mbetet e diskutueshme vetëm modalitetet rreth qasjes në regjistrat e publikuar. Sipas tij, AKK-ja ka kërkuar që të bëhen edhe disa ndryshime të tjera në ligj por që kanë qenë më shumë ndryshime teknike.

Mentor Hoxhaj, përfaqësues i Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale,tha se qëndrimi i Agjenicisë të cilin e përfaqëson është kundër deklarimit të pasurisë së vëllait dhe motrës së zyrtarit të lartë, ndërsa nuk janë kundër publikimit të këtyre të dhënave. Ndërkaq, kërkoi që formulari për deklarimin e pasurisë të hartohet së bashku nga dy Agjencionet, gjë e cila u kundërshtua nga AKK-ja.

Arton Demhasaj, nga organizata Çohu, tha se praktikat e mira për të cilat po flitet, janë krijuar me ligje, të cilat ju kanë përshtat rrethanave të atij vendi.

“Mendoj se asnjë ligj që e bëjmë duke marrë shembuj nga vendet e BE-së nuk do të na hyj në punë, sepse asnjë vend në Evropë nuk e ka nivelin e korrupsionit sa na në Kosovë që e kemi”, tha Demhasaj.

Agron Behrami, nga Agjencia Kundër Korrupsion deklaroi se nuk mund të fillojnë me procedura pa i pasë disa të dhëna shtesë që kërkohen.

“Ne e dimë që në Kosovë ende ka shumë raste që jetojnë në bashkësi, mirëpo ka edhe aso raste që kanë deklaruar se jetojnë vetëm dhe pas hetimit është ka dal se ata jetojnë bashkë, andaj neve na duhet të dhëna më shumë se sa që publikohen për qytetarët”, tha ai./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›