FOTO LAJM: Kur burgu është më i mirë se hoteli
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ishte dje në burgun e Peqinit, ku provoi njëherë supën që hanë të burgosurit atje. Vizita e tij vjen pas një raporti me nota të zymta nga Këshilli i Europës për gjendjen e burgjeve dhe paraburgimeve në Shqipëri. Por nga Peqini, pasi hëngri supën, Halimi tha se do inaugurohet së shpejti edhe paraburgimi i Elbasanit. Sipas tij, kushtet në këtë paraburgim do jenë më të mira se në hotel. Ai shtoi se paraburgimi do jetë më i miri në Ballkan. Dhe e tha me krenari këtë. Njësoj si shefi i tij, edhe atë e ka kapur çmenduria e garës për të dalë i pari në rajon e në botë. Po si mund të krenohesh që ke bërë një paraburgim si hotel luksoz dhe të tjerët i ke në gjendje mizerabël, siç thotë edhe KiE? A nuk mund të kemi një paraburgim normal dhe paratë e tjera të shkojnë për të përmirësuar ndopak gjendjen e të tjerave. Megjithatë ky është stili i kësaj qeverisje: dhi e zgjebosur me bishtin përpjetë.
