FOTO LAJM: Kush tha që Berisha nuk e takoi Sarkozinë?!!
Kryeministria shqiptare ka shpërndarë sot fotot nga një pritje që ka organizuar presidenti francez, Nikola Sarkozi, me të pranishmit në seminarin Bota e re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi. Kjo që sjellim më poshtë është fotoja e kryeministrisë që tregon për takimin e përzemërt të Berishës me Sarkozi. Mund të dallosh nga pas kokës që ai personi është Berisha, kurse Sarkozi dallohet më lehtë. Kaq ka arritur të shkëpusë kryeministri Berisha nga vizita e tij në Francë. E meqë tani nuk e ftojnë në takime zyrtare, shkon nëpër seminare, leksione, forume.
Në një prononcim të dhënë për Televizioni Publik Shqiptar, pas pritjes së dhënë nga Presidenti Sarkozi, kryeministri Berisha u shpreh: Konferenca me temën Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi u mbyll me një fjalë të shkëlqyer të Presidentit Sarkozi, një analizë e situatës aktuale në Evropë dhe në botë, si dhe mendimet, sugjerimet e qeverisë franceze për vizionin e Presidentit për një Evropë të rithemeluar mbi bazën e disa parimeve të tjera. Ishte një pritje miqësore dhe bujare që Presidenti Sarkozi e shtroi për pjesëmarrësit në këtë konferencë. Në të merrnin pjesë dymbëdhjetë kryeministra, ministra Financash dhe personalitete nga vende të ndryshme, të cilët ishin të pranishëm në dy ditë debate, ndër më interesantet. Për mua ky ishte një rast jashtëzakonisht i veçantë, ku Shqipëria u rendit në tregjet që po rriten dhe paraqita modelin shqiptar, edhe një herë, të bazuar në të gjitha arritjet e tij dhe perspektivat. Me çka u pa nga takimet e djeshme dhe të sotme, e vërteta është që interesi për Shqipërinë dhe vlerësimi për suksesin e saj ekonomik po bëhet gjithnjë e më i madh. Unë shfrytëzoj rastin të falënderoj shumë përzemërsisht ministrin Besson për ftesën që më bëri dhe të gjithë hapësirën që mu krijua në këtë konferencë, Kryeministrin Fillon për përzemërsinë që dëshmoi dje ndaj meje në hapjen e konferencës, Presidenti Nikola Sarkozi për pritjen e shkëlqyer që rezervoi ndaj të gjithë të ftuarve, ndaj kryeministrave. Ishte i pranishëm Kryeministri italian z. Mario Monti, me të cilin shkëmbeva mendime dhe biseduam shumë përzemërsisht. Ishte Kryeministri i Çekisë z. Petr Necas, si dhe ministra e zyrtarë nga vende të ndryshme.
