Këshilltarët e PS: Përshëndesim hetimet, fundi jo bllof juridik

Këshilltarët e Partisë Socialiste në bashkinë e Tiranës kanë përshëndetur nisjen e hetimeve nga Prokuroria për abuzimet në projektin e sheshit “ Skënderbej”. Në një deklaratë për shtyp ata kanë uruar që kjo nismë ligjore të mos përfundojë në një bllof juridik.
“U njohëm nga mediat për hapjen e hetimeve për abuzimin me projektin e sheshiot “Skënderbej”.
Në emer të grupit të këshilltarëve të “Aleancës për të Ardhmen” me përfaqësimin e plotë të mandatit që qytetarët e Tiranës na kanë besuar, përshëndesim çdo iniciativë ligjore, çdo hetim, të bazuar në një kallëzim të ligjshëm nga Prokuroria. Duke shpresuar se kjo proçedurë e nisur në emër të transparencës nuk do të jetë një bllof juridik, si skandali i abuzimit më të madh financiar në historinë e këtij vendi, të rrugës që e njollosën me korrupsionin qeveritar.
I themi sot Prokurorisë, në respekt të zërit të qytetarëve, se veprimi i kundërligjshëm me sheshin “Skëndërbej”nuk është vetëm dëm financiar, por edhe shpërdorimi i detyrës përmes kapërcimit të ligjit dhe të proçedurave të parashikuara në ligj. Nuk mundet askush, kushdoqoftë, që të lejohet të veprojë mbi ligjin dhe të ndërrojë një projekt të tërë, i miratuar në transparencë të plotë, pa kaluar më parë në një instancë ligjore. Si mundet që qytetarët duhet të marrin leje për të rregulluar qoftë dhe çatinë e tyre, ndërsa zyrtarët e bashkisë nuk marrin leje për të prekur një monument kulture dhe për ta shpërfytyruar një histori të tërë urbane. Nuk mundet të lëvrohet asnjë fond pa marrë miratim në bazë të proçedurave që parashikohen”-u shprehen ata.
Ndër të tjera Këshilltarët e Partisë Socialiste kanë vlerësuar dhe shqetësimin e ngritur nga përfaqësuesi i vendit të Presidencës së Bashkimit Europian lidhur me dëmin që po i bëhet si rezultat i ndryshimit të projekteve për sheshin.
Më tej ata janë shprehur të prerë për të mos lejuar asnjë rast që abuzimi të bëhet praktikë pune, duke shkaktuar përmes tyre jo vetëm dëm financiar dhe moral, por dhe në imazhin ndërkombëtar.