FOTO LAJM: Politikanët braktisin Kukafshehthi-n e gay-ve
Organizatat që bëjnë avokatinë e personave me prirje të ndryshme seksuale kanë çelur një ekspozitë të titulluar Kukafshehthi, që vjen në prag të Ditës kundër Homofobisë. Në fakt nuk ka pasur ndonjë politikan në çelje të kësaj vizite, përveç diplomatëve, ku ka rënë në sy ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu.
Ndërkohë ambasadori i BE, Etore Sekui, ka reaguar me anë të një mesazhi ndaj qëndrimeve të Ekrem Spahisë kundër homoseksualëve.
Më lejoni të theksoj se Bashkimi Evropian, anëtare e të cilit Shqipëria aspiron të bëhet, bazohet në vlerat themelore të respektimit, mbrojtjes dhe promovimit të të gjitha të drejtave njerëzore dhe në luftën kundër çdo lloj diskriminimi. Do doja po ashtu të risillja në vëmendje se Shqipëria është angazhuar në përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit Evropian dhe lufta kundër diskriminimit është një prioritet shumë i rëndësishëm. Do të doja gjithashtu të shpreh solidaritetin tim të plotë dhe të vendosur për kolegun tim, Ambasadorin hollandez në Shqipëri, një koleg me përvojë dhe shumë i respektuar për angazhimin e tij personal dhe të jashtëzakonshëm dhe rolin e tij aktiv, si edhe mbështetjen e madhe të vendit të tij në promovimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri në të gjitha aspektet e tyre si dhe angazhimin e tij të admirueshëm në luftën kundër diskriminimit. Komentet dhe thirrja e bërë lidhur me kolegun tim të Bashkimit Evropian janë për të ardhur keq dhe të papranueshme, tha Sekui.



