E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramës i duhen dy alibi për dy humbje të reja

16-05-2012 / Nga Artur Bego

Edi Rama po prodhon alibinë e blerjes së deputetëve, sepse nuk do të pranojë humbjen e garës për zgjedhjen e presidentit të ri. Ky fatalizëm po shton bindjen se në 2013-n do prodhohet një humbje e re elektorale, prandaj që tani, “ekspertët” socialistë i kanë përqendruar goditjet ndaj ODIHR-it, si “pjesa e Evropës” që s’ua do të mirën


Humbjet politike nuk po i ndahen Edi Ramës. Prova me “testimin” e mazhorancës nëpërmjet “futjes si pykë” të kandidaturës së Ardian Vishës për anëtar KLD-je, ishte mesazhi se zgjedhjen e presidentit të ri ai nuk ka mundësi ta ndalojë. Në këto kushte, kur humbja në ballafaqimin politik në Parlament për zgjedhjen e presidentit të ri është në prag, Edi Ramës i duhet një alibi.


Dhe alibia më e mirë ishte ajo e lëshuar dje para grupit parlamentar të PS-së. “Dy deputetëve të PS u janë ofruar para për votën e presidentit...”, deklaroi Edi Rama dje. Me këtë frazë Edi Rama hipotekoi dje alibinë për post zgjedhjes së Presidentit. Ndërsa ky proces është thjesht dhe vetëm çështje kohe për shkak të detyrimeve kushtetuese, kreu i PS-së do të di si të mbrohet politikisht nesër, pas humbjes më të afërt politike. Duke lënë pezull akuzën për “blerje deputetësh” pa bërë më minimalen ta denoncojë në prokurori, post zgjedhjes së presidentit ndërsa hije dyshimi do të qëndrojnë mbi dy deputetët pa emër që “u shitën”, Edi Rama do të besojë se mund të ndjehet më i qetë me humbjen e radhës, duke e shitur atë si fitore. 


Por, kreu i PS-së, kot e ka. E ka konsumuar më parë “metodën” e “shit-blerjes”, kur në mediat që ai vetë kontrolloi sajoi fabulën e “shit-blerjes” së familjarëve të Aleks Nikës, një prej viktimave të 21 janarit 2011, me demek, në këmbim të një vizite të kryeministrit në familjen e tyre. Ajo e djeshmja, “pazari virtual” të cilin e sheh vetëm Edi Rama, me shumë gjasa dështoi që dje, sepse ndryshe nga rasti i Aleks Nikës, që kishim personazhe me emër, megjithëse të sajuar prej Edi Ramës, rasti i djeshëm i “shit-blerjes” së deputetëve nuk kanë emra..., deputetësh jo e jo, por as “negociatorësh”... Ndaj, për të mos ia zhvlerësuar “gjetjen” dëshpëruese të djeshme Edi Ramës, le ta lexojmë mesazhin e tij, si një “kërcënim” ndaj deputetëve të tij, që të mos guxojnë “të dalin nga rreshti”... Sikur të ishte vetëm halli (humbja) politike për zgjedhjen e Presidentit, Edi Rama nuk do të kishte shumë nevojë të justifikohej nëpërmjet alibisë së “shit-blerjes”.


Por një hall më të madh e mundon atë prej kohësh. Edhe ai hall i madh është humbja në ardhje e zgjedhjeve ët radhës të vitit 2013. Përballë kësaj humbje atij i duhet një alibi më e madhe, si përballë anëtarëve e mbështetësve të PS-së, ashtu edhe përballë aleatëve politikë. Në funksion të kësaj ai po punon prej kohësh duke shpresuar se do të ketë “aleatë” edhe OSBE/ODIHR. Siç po rrjedhin ngjarjet, duket se Edi Rama “i ka punët në terezi” pas kundërshtimeve publike që OSBE/ODIHR i bënë marrëzisë së tij për futjen e parakohshme të metodave elektronike të administrimit dhe numërimit të votave.


Pas kësaj kundërshtie Edi Rama ka gjithë të drejtën, por për më tepër edhe alibinë, që të fajësojë për humbjen e tij, jo OSBE/ODIHRI-in, sepse deri në këtë pikë, nuk besohet se “ia mban”, por mos futjen e “elektronikës” në menaxhimin dhe numërimin e votave. 


Nga ana tjetër me këtë rast, kundërshtimin e OSBE/ODIHR-it Edi Rama ka mundësinë më të mirë ta përdorë edhe për të mashtruar aleatët e tij politik, duke mos pranuar kërkesat e tyre, nën pretekstin se dëshirat e tyre “të avancuara”, më shumë nga ç’duhet, nuk gjejnë mbështetjen dhe përkrahjen e OSBE/ODIHR-it, për më tepër nuk gjenden “materializuara” as në rekomandimet e tyre...


... Kështu me këtë rast, Edi Rama “me një gur, vret dy zogj”...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›