FRANCË – Liderët e majtë pozitivë pas bisedimeve vendimtare me Macron

PARIS, 23 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti francez Emmanuel Macron nisi një raund vendimtar bisedimesh me përfaqësues nga i gjithë spektri politik, mes sinjaleve se aleanca e krahut të majtë Fronti i Ri Popullor (NPF) mund të jetë gati për të formuar një qeveri pas disa javësh bllokimi.
Macron u takua sot në mëngjes me NPF, e cila ka pretenduar një mandat për të qeverisur pasi kryesoi raundin e dytë të votimit për Dhomën e Ulët të Francës, Asamblenë Kombëtare, më 7 korrik.
NPF – e përbërë nga e majta e fortë France Unbowed, Socialistët, Komunistët dhe të Gjelbërit – ka propozuar nëpunësen civile Lucie Castets si kandidaten e saj për kryeministre, por ka pothuajse 100 vende më pak për një shumicë në dhomë.
Castets tha se ajo ishte e gatshme të ndërtonte këto koalicione, të bisedonte me forcat e tjera politike, të përpiqej të gjente një mënyrë për të siguruar stabilitetin e vendit.
Kampi qendror i Macron ende nuk ka emëruar zyrtarisht një pasardhës të kryeministrit në largim Gabriel Attal.
Attal ka vazhduar detyrën për më shumë se gjashtë javë, duke mbikëqyrur Lojërat Olimpike të Parisit në fillim të këtij muaji, por presioni është rritur mbi Macron për të lejuar formimin e një qeverie të re.
Përpara takimeve të së premtes, kryetarja e të Gjelbërve, Marine Tondelier, i tha radiostacionit “France Inter” se nuk kishte një plan B në vend të Lucie Castets.
Dhe bisedimet midis Macron dhe NPF u duk se treguan njëfarë progresi, me Tondelier që tha se ato kishin dhënë “lajme të mira”.
Udhëheqësi i Partisë Socialiste Olivier Faure tha se Macron e kuptoi se stabiliteti i vendit nuk kërkon domosdoshmërisht vazhdimin e politikave të presidentit.
“Macron nuk njoftoi një datë për emërimin e një kryeministri të ri, por deklaroi se do të ndodhë së shpejti”, tha Faure.
“Ne kemi nevojë për një përgjigje të martën”, shtoi Faure, pasi Macron përfundon raundin e tij të bisedimeve me liderët politikë të vendit.
Presidenti do të takohet me përfaqësuesit e partisë së tij të premten përpara se të zhvillojë bisedime me republikanët e krahut të djathtë dhe fraksionet më të vogla.
Të hënën, Macron ka planifikuar të takohet me përfaqësuesit e Tubimit Kombëtar, si dhe me drejtuesit e dy dhomave parlamentare. //a.i/