E Diel, 1 Nëntor 2026

FRANCË – Shpallet niveli më i lartë i gatishmërisë në sistemin shëndetësor mes nxehtësisë ekstreme

PARIS, 25 qershor /ATSH-DPA/- Parisi po përballet me pasoja gjithnjë e më të rënda nga vala e të nxehtit që ka përfshirë vendin,duke bërë që qeveria franceze të shpallë nivelin më të lartë të gatishmërisë në sistemin shëndetësor.

“Vala e të nxehtit që ka prekur vendin tonë, po vazhdon pa u zbutur dhe presioni mbi sistemin shëndetësor po rritet”, deklaroi sot kryeministri francez, Sébastien Lecornu në rrjetin social X.

Qeveria njoftoi mobilizim kombëtar, duke përfshirë shtimin e personelit në spitale, ndryshime operative, për të përballuar temperaturat ekstreme dhe shtyrjen e procedurave mjekësore jo urgjente.

Shërbimi meteorologjik francez, “Météo France”, shpalli alarmin maksimal të kuq për 72 rajone të vendit, ndërsa temperaturat pritet të luhaten nga 35 deri në mbi 40 gradë Celsius në disa zona të Francës.

Në disa rajone parashikohen gjithashtu stuhi të forta përpara se temperaturat të pësojnë një rënie të lehtë nga e premtja.

Temperaturat e nxehta kanë ndikuar edhe në sektorin energjetik. Kompania shtetërore EDF mbylli tre reaktorë bërthamorë dhe uli prodhimin në disa të tjerë, pasi temperaturat e larta të lumenjve kufizuan përdorimin e ujit për ftohje.

Sipas kompanisë, masat reduktuan kapacitetin bërthamor të Francës me rreth 3,5%.

Ndërkohë, autoritetet lokale paralajmërojnë për rritje të numrit të viktimave, si rezultat i temperaturave të larta.

Kryebashkiaku i Parisit, Emmanuel Grégoire, deklaroi se numri i vdekjeve nga i nxehti po rritet, duke theksuar se rreziku nuk prek vetëm grupet më vulnerabël, por edhe personat e moshës 50-70 vjeç, që shpesh i nënvlerësojnë pasojat e vapës ekstreme.

Një tragjedi u regjistrua dje në mbrëmje në periferi të Parisit, në Saint-Gratien, ku një djalë 3-vjeçar, humbi jetën pasi mbeti i bllokuar brenda një automjeti.

Sipas prokurorisë, fëmija dyshohet se kishte hyrë vetë në makinën e parkuar të familjes dhe kishte mbetur i mbyllur aksidentalisht brenda.

Prindërit e gjetën më vonë pa shenja jete, ndërsa ekipet e emergjencës nuk arritën ta shpëtonin. Prokuroria ka nisur hetimet për vrasje nga pakujdesia. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›