FRANCË – Spitalet civile përgatiten të pranojnë ushtarë të plagosur në rast lufte

PARIS, 2 shtator /ATSH/ – Një udhëzim nga Ministria franceze e Shëndetësisë u kërkon agjencive rajonale të shëndetit që të përgatiten, nëse është e nevojshme, që të krijojnë struktura mjekësore, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, në mënyrë që spitalet civile të mund të akomodojnë një fluks të madh të mundshëm ushtarësh të plagosur në Evropë, sipas tgcom24.it.
Qarkorja u raportua nga e përjavshmja ”Le Canard Enchaine”, e cila e ka shqyrtuar atë.
Këtu do të përfshihen qendra rajonale të klasifikimit për të plagosurit, të gatshme për të pritur ushtarë që kthehen nga fronti, duke i drejtuar ata në spitalet civile më të përshtatshme dhe më të afërta, si dhe duke i riatdhesuar ata në vendet e tyre të origjinës pasi të jenë shëruar.
”Në nivel kombëtar, shteti francez, duke vepruar në koordinim me NATO-n dhe Bashkimin Evropian, do të përgatitej për një skenar që lejon shtrimin në spital të 100 pacientëve në ditë për 60 ditë rresht në të gjithë vendin, me kulme aktiviteti që mund të arrijnë 250 pacientë në ditë për tre ditë rresht”, thuhet në qarkore.
Ministrja franceze e Shëndetësisë, Catherine Vautrin tha se iniciativa ishte pjesë e nevojës për të avancuar përgatitjen e stoqeve strategjike, si për shembull për epidemitë”./ a.jor.