E Martë, 3 Nëntor 2026

FRANCË – Zjarrfikësit luftojnë me zjarrin më të madh ndër dekada

PARIS, 7 gusht /ATSH/ – Zjarri më i madh në Francë në dekadat e fundit ka lënë pas një gjurmë shkatërrimi, duke djegur mbi 160 kilometra katrorë në jug të vendit dhe duke marrë jetën e një personi, njoftuan sot autoritetet lokale të enjten, sipas AP-së.

Zjarri nisi të martën dhe përfshiu masivin e Corbieres në rajonin Aude. Pavarësisht përpjekjeve të mbi 2 100 zjarrfikësve dhe avionëve me ujë, zjarri ende nuk është vënë nën kontroll. Moti  e nxehtë dhe i thatë për javë te tëra përhapi me shpejtësi flakën, megjithëse temperaturat më të freskëta dhe erërat më të qeta gjatë natës e zbutën disi situatën.

“Zjarri nuk është më në përhapje, por ende nuk është nën kontroll, ” tha prefekti rajonal Christian Pouget. “Beteja nuk ka përfunduar ende. Rreziku për shpërthime të reja mbetet për disa ditë”.

Zjarri ka përfshirë 15 komuna në masivin e Corbieres, duke shkatërruar ose dëmtuar të paktën 36 shtëpi. Një person humbi jetën në banesën e tij, ndërsa të paktën 13 të tjerë u plagosën, përfshirë 11 zjarrfikës. Tre persona, që rezultonin të zhdukur, janë gjetur.

Po zhvillohet një hetim për të përcaktuar shkakun e zjarrit, i cili ka lënë pas një peizazh të zi me pemë të djegura dhe hi. Kryetari i bashkisë së Saint-Laurent-de-la-Cabrerisse, Xavier de Volontat, tha se “do të duhen vite për të rindërtuar këtë zonë”.

Banorët dhe turistët në zonat përreth janë këshilluar të qëndrojnë në shtëpi, përveç rasteve kur urdhërohen të evakuohen. Të evakuuarit janë strehuar në qendra emergjente në 17 komuna.

Zjarri nisi në fshatin Ribaute në rajonin Aude, një zonë pyjore me shumë kantina vere. Rreth 8–9 kilometra katrorë vreshta janë djegur.

Sipas ministres së tranzicionit ekologjik, Agnès Pannier-Runacher, ky zjarr është pasojë e qartë e ndryshimeve klimatike dhe thatësirës. Ky është zjarri më i madh që nga krijimi i databazës kombëtare të zjarreve në vitin 2006.

Europa Jugore ka përjetuar shumë zjarre të mëdha këtë verë, teksa shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po rrisin frekuencën dhe intensitetin e temperaturave të larta dhe thatësirës. Më herët, një zjarr në Marsejë plagosi rreth 300 persona.

Sipas shërbimit klimatik “Copernicus” të BE-së, Europa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me dyfishin e mesatares globale që nga vitet 1980. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›