E Martë, 3 Nëntor 2026

Shkencëtarët e BE-së: Bota përjetoi korrikun e tretë më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë në Tokë

BRUKSEL, 7 gusht /ATSH/- Bota përjetoi korrikun e tretë më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë këtë vit, tha sot agjencia e Bashkimit Evropian që monitoron ngrohjen globale, sipas AP.

Pavarësisht temperaturës mesatare globale pak më të ulët, shkencëtarët thanë se nxehtësia ekstreme dhe përmbytjet vdekjeprurëse vazhduan gjatë muajit korrik.

“Dy vjet pas korrikut më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, seria e fundit e rekordeve të temperaturës globale ka mbaruar – për momentin. Por, kjo nuk do të thotë që ndryshimi i klimës ka ndaluar”, tha Carlo Buontempo, drejtor i Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të Kopernikut.

“Këto janë efekte të një bote që po ngrohet”, tha ai.

Agjencia e monitorimit të BE-së tha se priten rekorde të reja të temperaturave ekstreme nëse përqendrimet e gazrave serrë në atmosferë nuk ulen.

Më 25 korrik, Turqia perjetoi temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë prej 50,5 gradë Celsius ndërsa luftonte me zjarret.

Edhe pse jo aq i nxehtë sa korriku i vitit 2023 ose korriku i vitit 2024, i dyti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, raporti i Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të Kopernikut tha se temperatura mesatare e sipërfaqes së planetit muajin e kaluar ishte ende 1,25 gradë Celsius mbi periudhën para-industriale 1850-1900, përpara se njerëzit të fillonin djegien e  lëndëve djegëse fosile si nafta, gazi dhe qymyri.

Gazrat serrë të lëshuara nga djegia e lëndëve djegëse fosile janë nxitësi kryesor i ndryshimeve klimatike. Shpyllëzimi, zjarret dhe shumë lloje fabrikash lëshojnë gjithashtu gazra që bllokojnë nxehtësinë në atmosferë.

Pavarësisht një korriku disi më të freskët, periudha 12-mujore midis gushtit 2024 dhe korrikut 2025 ishte 1,53 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, duke tejkaluar pragun e vendosur në vitin 2015 – për të kufizuar ngrohjen e shkaktuar nga njeriu në 1,5 gradë Celsius.

“Globalisht, viti 2024 ishte viti më i nxehtë në historinë e regjistruar. Evropa po ngrohet më shpejt se çdo kontinent tjetër, me temperatura që rriten dy herë më shpejt se mesatarja globale që nga vitet 1980”, sipas raportit.

Vitin e kaluar, planeti e tejkaloi përkohësisht objektivin e ngrohjes të vendosur në Paktin e Klimës së Parisit të vitit 2015.

Por ky objektiv, i kufizimit të ngrohjes brenda 1,5 gradë Celsius të niveleve para-industriale, përcaktohet si një mesatare 20-vjeçare dhe bota ende nuk e ka shkelur atë prag.

Raporti i BE-së bazohet në mbledhjen e të dhënave satelitore dhe në Tokë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›