E Diel, 1 Nëntor 2026

FRD: Shqetësuese problemet në listat zgjedhore. Kjo është përpjekje për manipulim të zgjedhjeve

frdFryma e Re Demokratike ka reaguar për problemet në listat e zgjedhësve. Sipas zëdhënëses së kësaj partie, Eni Feruli, të dhënat e auditit të KQZ-së janë shqetësuese.

Nisur nga të dhënat më të fundit të auditit të zhvilluar nga KQZ, bie në sy një numër ende i lartë dhe i pajustifikueshëm i zgjedhësve të dubluar në lista, që shkon deri në 27 mijë persona. Po ashtu edhe zgjedhësit pa adresë në këto lista kanë kapur një shifër rekord prej 348 mijë personash, çka përbën një problematikë alarmante në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, tha zëdhënësja e FRD.

Sipas kësaj partie, këto janë përpjekje për manipulimin e votave.

Fryma e Re Demokratike beson se mosveprimi nga ana e organeve shtetërore për të reduktuar brenda afateve ligjore që parashikon Kodi Zgjedhor, numrin e zgjedhësve pa adresë dhe të dubluar, është në vazhdën e përpjekjeve për manipulim të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ky është një skenar tepër i shëmtuar dhe i papranueshëm për rëndësinë që përfaqësojnë këto zgjedhje si në aspektin politik të vendit, po ashtu dhe në proceset e integrimit tonë drejt Bashkimit Europian.

Manipulimi i zgjedhjeve sigurisht që ka një histori të turpshme në vendin tonë, por sot më shumë se kurrë çdo faktor konstruktiv qytetar, politik dhe ndërkombëtar kërkon që kjo pjesë e të shkuarës të arkivohet, dhe në këto zgjedhje të sundojë shteti ligjor dhe vullneti i lirë i zgjedhësve. Çdo tentativë për të bllokuar, deformuar apo falsifikuar votën e shqiptarëve do të konsiderohet një atentat që i bëhet kushtetutës, aspiratave të votuesve dhe integrimit të vendit, vijoi zëdhënësja e FRD, duke u bërë thirrje organeve shtetërore që të zgjidhin problemet e lindura me listat./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›