E Diel, 1 Nëntor 2026

Peza i përgjigjet Berishës: Ka një mendësi tribale, do që të mbajë pushtetin me çdo mjet

alfredipezaKandidati socialist për deputet në Peqin, Alfred Peza, ka reaguar pas sulmeve të kryeministrit Berisha ndaj tij dhe bashkëshortes së vet, duke thënë se e ka pasur në punë atë. Peza shprehet se Berisha ka një mendësi tribal, pasi bashkëshortja e tij u pushua menjëherë sapo u bë zyrtar kandidimi i tij për PS-në.

Dje kryeministri Sali Berisha ishte në Peqin, në mitingun e hapjes zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 23 qershorit, të kandidatit të PD-së në këtë rreth, Dashnor Sula. Po vijoja fushatën time derë me derë dhe isha duke biseduar me familjarë e të afërm të Naim Teqes, ish- kandidatit të PS për Kryetar Bashkie në Peqin për zgjedhjet lokale të 8 majit 2011, kur nga stafi më njoftuan se Berisha më kishte sulmuar personalisht gjatë fjalës së tij. I ka djegur aq shume kandidimi dhe fushata ime elektorale në Peqin, saqë nuk po lë rast pa më përmendur. E ka bërë që në 3 shkurt të këtij viti, kur lashë gazetarinë për politikën. Dhe do të vazhdojë ta bëjë deri më 23 qershor. Sepse ka arsye për këtë.

Në stilin e tij, këtë radhë, ishte marrë me bashkëshorten time. Duke përmendur faktin se gjatë kohës që unë isha gazetar, ajo ka qenë drejtoreshë në një ministri edhe gjatë kohës së qeverisjes së tij. Por, duke harruar të thotë se të nesërmen e kandidimit tim për deputet me PS, e hoqi nga ajo detyrë.

E para, kjo tregon mendësinë tribale që ka Kryeministri ynë, i cili qeverinë, shtetin dhe institucionet e këtij vendi, i konsideron pronën e tij private.

E dyta, sulmin e bazon tek deklarata ime, sipas së cilës më 23 qershor përpara shqiptarëve ka dy alternativa: Ose të instalojnë një regjim rrënimtar pa kthim. Ose, Rilindje.

Saliu dje më dha të drejtë duke i treguar shqiptarëve nëpërmjet meje, se jetojmë nën një regjim, i cili bën gjithçka për të mbajtur pushtetin me çdo mjet.

E treta, kandidimi im i ka hequr mundësinë Saliut që të përsërisë edhe këtë radhë rezultatin e 2009, kur mori 7 mandate deputetësh në qarkun e Elbasanit. E gjitha kjo, në sajë të fitores së PD me rreth 1700 vota më shumë në rrethin e Peqinit.  Dhe e fundit, sulmi i paprinciptë krejt personal, më bën të kuptoj se Kryeministri më ka futur shumë shpejt në parcelën e vogël të pemëve me kokrra të opozitës, që janë gjithnjë në shënjestrën e gurëve të tij, shprehet Peza./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›