E Shtunë, 31 Tetor 2026

FRD dhe AK në mbështetje të ish të përndjekurve

Ish të përndjekurit kanë protestuar dje përpara selisë së Kuvendit në kërkim të të drejtave të tyre. Këtë herë kanë qenë dy forca politike ato që i kanë mbështetur në kauzën e tyre. FRD-ja e Bamir Topit dhe AK-ja e Kreshnik Spahiut kanë bërë thirrje qeverisë që të gjej një zgjidhje për këtë shtresë që ka vuajtur gjatë regjimit komunist.
Protesta para Kuvendit
Kreu i Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë, Skënder Tufa ka deklaruar se, pas 12 ditësh greve urie dhe indiferencës së Qeverisë është shtuar mes kërkesave ekonomike, edhe ajo e largimit të Qeverisë. “Në mënyrë të vazhdueshme zëri qytetar po dëgjohet në rrugë, sepse në zyrat e pushtetit po injorohet, sepse në zyrat e pushtetit me zërin e qytetarëve po bëhet korrupsion. Duhet të largohet një orë e më parë. Kërkesat tona deri tani kanë qenë ekonomike, sot e mbrapa kërkesa jonë është largimi i kësaj Qeverie të korruptuar”, tha Tufa.
Mbështetja e FRD-së dhe AK-së
Deputeti i Frymës së Re Demokratike Gazmend Oketa u shpreh në mbështetje të grevistëve, duke deklaruar se, qeveria duhet t’u japë një zgjidhje dhe jo të merret me prerje shiritash. “Është krejtësisht e pashpjegueshme dhe e pajustifikueshme, qoftë nga aspekti moral, nga detyrimet që Qeveria shqiptare ka përkundrejt gjithë qytetarëve shqiptarë që një problematikë e tillë të kalohet krejt në heshtje dhe debati politik, apo qeveria të jetë e vëmendshme për çështje në prerje shiritash dhe të mos thotë as edhe një fjali të vetme, qoftë edhe për humanizëm”, tha Oketa. Ndërkohë që kreu i Aleancës Kuqezi gjatë mbështetjes që i dha kësaj greve deklaroi se, kompensimi i tyre do të vijë duke konfiskuar të gjitha paratë e vjedhura nga Berisha dhe ministrat e kabinetit të tij qeveritar. “Ne kemi premtimin, pas 8 muajsh 100 për qind kompensim duke i nxjerrë paratë nga konfiskimi i pasurive të pista të shtetasit Sali Berisha, dhe gjithë ministrave të tij. Llogaritë e tyre bankare, vilat, fshatrat, minierat, bizneset, qendrat tregtare që disponojnë do të sekuestrohen, duke kompensuar 100 për qind”, tha kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu. Greva e urisë e ish të përndjekurve politike ka hyrë në ditën e 13-të të saj, ndërkohë që gjendja shëndetësore e tyre vjen duke u rënduar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›