Berisha: Rama kërkon të bëjë pazare me ëndrrën e shqiptarëve

Kryeministri përuron në Petrelë gjimnazin “Ibrahim Hasmema”
Kryeministri Sali Berisha akuzoi sërish kreun e opozitës, Edi Rama se kërkon pazare në këmbim të votave për të miratuar ligjet në Parlament. Deklarata e kryeministrit u bë gjatë përurimit të gjimnazit “Ibrahim Hasmema” në Petrelë të Tiranës.
Shefi i qeverisë theksoi se deputetët socialistët bojkotojnë komisionet parlamentare duke mos votuar ligjet të cilat janë të rëndësishme për marrjen e statusit kandidat për në Bashkimin Europian. “Çdo ditë ndiqni komisionin e ligjeve ku ish-ministra, ish-kryeministra të këtij vendi ngrihen dhe dalin dhe lënë karriget bosh për të mos votuar ligjet që kërkon Brukseli dhe e bëjnë këtë se gjatë këtij 10 ditëshi merret vendimi për statusin. Zotëria bëri amendamentet e ligjit të Gjykatës së Lartë dhe kërkon pazare, por nuk ka pazare me ëndrrën tuaj, nuk ka pazare me integrimin e vendit”, tha Berisha, ndërkohë që i bëri thirrje Ramës që të mos shkelmojë ëndrrën e të gjithë shqiptarëve, atë evropiane. “Tani dua t’i them këtij zotërie: mos shkelmo ëndrrën e të rinjve shqiptarë, sepse kjo është ëndrra më fisnike, kjo është ëndrra e të gjithë shqiptarëve nga rilindasit deri më sot, por veprimi yt që bën këto ditë duke braktisur votimin e ligjeve, është një veprim i shëmtuar unik, veprim që kurrë një shqiptar nuk mund t’ia lejojë vetes ta bëjë. Çdo ditë proteston pse unë flas me ju të dashur nxënës dhe nxënëse, i them se sot dhe në mënyrë të vazhdueshme dialogun për Evropën do ta kem para së gjithash me ju mbi të gjitha me ju, do të bëjmë gjithçka që atë ëndërr të bukur që ju keni ta bëjmë së bashku realitet”, tha Berisha. Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se niveli dhe cilësia e mësimdhënies mbetet prioritet për edukimin e brezave.