E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: PS të zhbllokojë Komisionin e Ligjeve

05-10-2012 / Gazeta 55

Kuvend, apelon mazhoranca: Opozita të heqë dorë nga pazaret, të votojë kërkesat e Brukselit

Seanca e djeshme plenare në Kuvendin e Shqipërisë nisi me debate rreth zgjedhjes së
anëtarëve dhe kryetarit të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Mazhoranca akuzoi opozitën për bllokimin e procesit, ndërsa socialistët shprehën shqetësim për tejkalimin e afateve, duke kërkuar miratimin në Kuvend të kandidaturave për anëtarë të Komisionit Zgjedhor.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi kërkoi shpjegime se përse miratimi i anëtarëve të KQZ-së nuk është përfshirë në rendin e ditës. Ruçi deklaroi se mazhoranca po shkel afatet për miratimin e anëtarëve dhe kryetarit të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Pas tetë muajsh kemi zgjedhje, ndërsa ende nuk kemi një KQZ, duke shkelur në mënyrë të vazhdueshme afatet në plotësimin e një institucioni kaq të rëndësishëm si Komisioni Zgjedhor, tha ai. Ne si opozitë do të donim që ky proces të ishte ndryshe, sipas frymës së kodit elektoral dhe nenit përkatës. Këtij procesi duhet t’i paraprinte një proces politik, i cili nuk u krye asnjëherë si i tillë, sidomos me aplikantët për kryetar të KQZ-së”, theksoi Ruçi.
Gjithashtu ai i kërkoi Kryetares së Kuvendit që të mbledhë Këshillin e Mandateve për të plotësuar vakancën e krijuar në grupin parlamentar të PS-së, pas dorëzimit të mandatit nga deputeti socialist, Andis Harasani.
Ndërkohë, kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi akuzoi opozitën se ka zgjedhur bllokimin dhe pazaret edhe për çështjen e KQZ-së. “Përgjegjësja e vetme për kapërcimin e afatit kohor për konstituimin e KQZ-së është opozita, pasi i kam kërkuar z. Ruçi, në respekt të Kodit të ri t’i paraqesim njëri-tjetrit kandidaturat. Z. Ruçi më kërkoi kohë. Ai tani akuzon mazhorancën. Ruçi e bllokoi procesin, duke e çuar atë në kalendat greke që sot të kërkojë pse nuk konstituohet KQZ”- deklaroi Patozi. Sipas tij, opozita duhet të dijë që zgjedhjet nuk fitohen as me kodin elektoral, as me anëtarët e KQZ-së.
“Në vitin 2009 tentuat që t’i linit barrën e fajit për humbjen tuaj, Kastriot Islamit, pasi ishte një nga bashkëkryetarët e komisionit ad hoc, pastaj fajësuat 20 mijë komisionerët e PS, duke përjashtuar ata qendrorët. Komisionerët qendrorë i hoqët sot, duke u lenë edhe atyre një pjesë të fajit. Zgjedhjet fitohen me qytetarët, prandaj zhbllokoni komisionin e Ligjeve, bëni detyrën tuaj si opozitë dhe ne jemi gati të votojmë që nesër KQZ-në”, deklaroi Patozi.
Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli theksoi në përgjigje të akuzave të, Gramoz Ruçit, se KQZ nuk është në rendin e ditës, pasi opozita ka bllokuar procedurën për zgjedhjen e kryetarit në Komisionin e Ligjeve. Topalli u bëri thirrje deputetëve socialistë që të mos bllokojnë proceset, por të votojnë kërkesat e Brukselit. “Votoni ligjet që kërkojnë 3/5 e votave, për Gjykatën e Lartë dhe Nëpunësin Civil, bëni detyrën në Komisionin e Ligjeve dhe ejani të votojmë kreun e KQZ. Mos bllokoni”, deklaroi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Ndërkohë në një reagim jashtë sallës së Kuvendit, deputeti i PS-së Pandeli Majko theksoi se PS-së ka dhënë pëlqimin e saj për dy kandidatet për kreun e KQZ-së pavarësisht rezervave që kishte. “Ne e kemi mbyllur votimin dhe mund të them se ne kemi depozituar si të vlefshëm dy kandidaturat, Marsida Xhaferllari dhe Lefterie Lleshi që do të thotë që KQZ-ja do të drejtohet sipas opinionit tonë nga një grua. Ne e kemi respektuar procesin. Ne kemi shprehur rezerva për dy kandidatët e tjerë. Kjo është një situatë që nuk pret. Jemi shumë vonë dhe kjo është arsyeja se ne e kemi zhbllokuar pavarësisht se kishim rezerva”, tha ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›